Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës, Kreu i Shtetit vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” Hafiz Ali Korçën (pas vdekjes) me këtë motivacion: “Për rolin dhe kontributin e tij të rëndësishëm e vetëmohues në dobi të çështjes kombëtare: si martir i kombit e kulturës shqiptare, si klerik atdhetar i shquar e veprimtar i flaktë për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj, si figurë e papërsëritshme intelektuale, duke u shndërruar në një nga dijetarët më të ndritur të filozofisë islame në Shqipëri”.
Ai mori pjesë në Kongresin e Dibrës më 23 korrik 1909 së bashku me patriotët e atdhetarët Aqif Pashë Elbasani, Abdyl Bej Ypi, Dervish Hima të cilët bashkoheshin në përpjekjet e tyre kombëtare shqiptare. Kontributi i çmuar i Hafiz Ali Korçës është shtrirë në fushën e arsimit ku ishte ndër mësuesit e Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës duke bashkëpunuar ngushtë me Pandeli Sotirin. Ai ka qenë përkrahës i Kongresit të Manastirit dhe i Kongresit të Elbasanit. Në vitin 1916 ka qenë Drejtor i Arsimit për Tiranën, Durrësin dhe Shqipërinë e Mesme. Më pas mori pjesë në themelimin e Normales së Elbasanit si dhe ka qenë ndër themeluesit dhe nismëtarët e ndryshimit të mësimdhënies në Medresenë e Naltë të Tiranës.
Dituritë e tij erudite në fushën fetare i vuri në zbatim nëpërmjet ligjëratave të shumta në xhamitë e ndryshme shqiptare si dhe nëpërmjet përkthimit me shkrim të materialeve studimore islame. Një tipar bashkues kombëtar ishte bashkëpunimi me figura dhe përfaqësues të bashkësive të ndryshme fetare shqipotare, që luajtën një rol të rëndësishëm në historinë tonë kombëtare siç janë Kristo Luarasi, Jusuf Turabi Kërçova, Pandeli Sotiri, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Sali Nivica, me shumë miq e bashkëpunëtorë dhe kjo nuk ishte thjesht një rastësi e bashkimit, komunikimit dhe përputhjes së ideve dhe idealeve të këtyre burrave të mëdhej.
Publicistika e tij do të përbëhej nga shumë shkrime të ndryshme për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë që ai i ka botuar në gazeta të ndryshme në Shqipëri e në Turqi. Nga veprimtaria publicistike e Hafiz Ali Korçës mund të përmenden edhe përkthimet e mrekullueshme të librave “Gjylistani dhe Bostani”, “Rubaijjati” si dhe “Jusufi me Zelihanë”, me anë të të cilave bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj Saadiu dhe Omer Khajjami.
Hafiz Ali Korça ishte gjithashtu autor dhe përkthyes i mbi 13 librave dhe shumë shkrimeve të ndryshme nëpër gazeta dhe revista në shqip dhe gjuhë të huaja, dhe të gjithë këto libra dhe shkrime janë botuar sa ishte gjallë. Për shkak të mendimit të tij të lirë atdhetar, se përkrahi gjithmonë bashkimin kombëtar të të gjitha trojeve shqiptare, atë dhe familjen e tij, për fat të keq, e ndoqi gjithmonë fati i burgosjeve dhe përndjekjeve, si nga osmanët, , ashtu edhe nga sistemi i errët dhe i egër komunist, i cili e burgosi dhe e internoi, duke e çuar së fundmi në Kavajë, ku kaloi i vetëm dhe larg familjes vitet e fundit derisa ndërroi jetë në vitin 1956.
Fatkeqësisht, figura e Hafiz Ali Korçës, madje dhe vetë ai sa ishte gjallë, u la në hije dhe u dëmtuan më së shumti gjatë regjimit të dhunshëm të diktaturës komuniste në Shqipëri, i cili kërkonte të zhdukte çdo gjë fetare dhe kombëtare të popullit tonë. Përndjekja e regjimit komunist ndaj tij qe e egër dhe këtë Hafiz Ali Korça e ka shprehur në mënyrë të adhurueshme në një nga strofat e shkruara në manifestin e tij të rëndësishëm “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”: “Për Shqipërinë u përpoqa, rrezikova jetën time. Nuk rrëfehet se sa hoqa, se shteti m’i njihte krime.” – u shpreh Presidenti Nishani.
“Hafiz Ali Korça do të mbetet gjithmonë një nga emblemat më identifikuese dhe vizionare të kombit shqiptar. Veprimtaria e tij fetare dhe kombëtare do të jenë, dhe duhet të jenë, baza për mendimin fetar dhe kombëtar të shqiptarëve në përgjithësi, dhe të komunitetit mysliman në veçanti. Vlerat e njerëzve dhe personaliteteve erudite si ai janë të qenësishme e të patjetërsueshme në fondin e çmuar të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike, prandaj ato nuk meritojnë të lihen në harresë. Ndaj sot, me këtë nderim që po i bëjmë këtij personaliteti të shquar, besoj se të paktën institucionalisht, po bëjmë një pjesëz të detyrës sonë për ta vendosur Hafiz Ali Korçën në piedestalin e merituar me shpresë se kemi shpërblyer deri diku kontributin e tij të madh si klerik, si atdhetar, publicist, dhe përhapës i palodhur i dijes dhe kulturës që ai zotëronte. Le të shërbejë ai në vijimësi si një model dhe burim frymëzimi i pashtershëm për ne, dhe për brezat e ardhshëm duke na mëkuar me atdhedashurinë, guximin, largpamësinë, vendosmërinë për të ecur përpara drejt zhvillimit dhe përparimit të vendit tonë së bashku!” – përfundoi fjalën e Tij Presidenti i Republikës.