Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani me iniciativën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri u shpall “Qytetar Nderi” nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, raporton Anadolu Agency (AA).
Lutfi Haziri e shpalli “Qytetar Nderi” Presidentin Nishani për kontributin e dhënë për njohjen e shtetit të Kosovës ndërkombëtarisht dhe për kontributin e tij dhënë Kosovës lindore.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri u shpreh se ndihet i nderuar që jeton në këtë kohë ku së bashku me qytetarët e Gjilanit presin për herë të parë një President siç është Nishani.
Haziri iu drejtua Presidentit Nishani duke theksuar se: “Ju e nderoni veptimtarinë dhe punën e madhe që këta njerëz e realizojnë në vendin e tyre”.
Ai tha se Gjilani po aq sa është paqësor në kushte të paqes është edhe kryengritës dhe rezistues në kushte të nevojave të kombit.
Haziri po ashtu tha se “Nishani me vizitën e tij në Gjilan i dha respektin qytetit dhe kombit duke i nderuar familjet e kryengritësve në përvjetorin e heroit të shqiptarëve Idriz Seferi”.
“Ne të gjallëve sot përveç mësimit që na lanë se si luftohet padrejtësia natyrisht na lanë amanet këtë vend që të bashkohemi deri në ditën dhe pikën e fundit. Në mënyrë që të jetojmë të barabatë dhe të integruar në kontinentin më të vjetër dhe më të civilizuar të botës së sotme”, tha Haziri.
Presidenti Nishani pas pranimit të çmimit “Qytetar Nderi” i Gjilanit falënderoi Komunën dhe qytetarët e Gjilanit duke theksuar se ndihet tejet i nderuar për këtë çmim. Ai theksoi se ndihet dyfish i nderuar nga një komunitet i tillë që sipas tij e di shumë mirë se si i merr vendimet edhe për çfarë i merr.
“Unë dua sot ta shpreh dhe ta them me shumë sinqeritet që ky nder, respekt edhe ky vlerësim që përfaqësuesit e nderuar të qytetarëve të Gjilanit më adresojnë mua si president i Republikës së Shqipërisë dhe kryetar i shtetit shqiptar por edhe si person më bënë që ta mendojë thellë dhe ta pyes veten a e meritoj plotësisht a jo këtë vlerë dhe respekt dinjitar? Nuk di ta them me shumë sinqeritet”, tha Nishani.
Ndërkohë Nishani theksoi se Kosova mund të jetë shembull për Shqipërinë në aspektin se si duhet të punohet për popullin e në të njëjtën kohë edhe për identitetin politik personal.
Ai vuri në dukje përpjekjet shekullore në trevat e Kosovës për forcimin e identitetit dhe kulturës kombëtare.
“Në përpjekjet për ekzistencë dhe rezistencë dhe ruajtje të identitetit kombëtar shqiptar duke u nisur me gjuhën, kulturën dhe të gjitha elementet e tjera përbërëse të identitetit kombëtar të një kombi. Edhe ne shqiptarët duhet t’ia dijmë për mirënjohje të përpjekjeve të nisura në këto treva. Sakrificat e mëdha të bëra nga burrat dhe gratë e familjeve të mëdha të këtyre trevave”, deklaroi Nishani.