Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Presidenti malazez në Ankara: E vlerësojmë lart rolin konstruktiv që Turqia luan...

Presidenti malazez në Ankara: E vlerësojmë lart rolin konstruktiv që Turqia luan në Ballkan

Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq

Turqia është një aleat i rëndësishëm i NATO-s dhe partner i Malit të Zi. Ne e vlerësojmë lart rolin konstruktiv që Türkiye luan në Ballkan dhe kontributin që ajo e jep për stabilitetin dhe prosperitetin e gjithë rajonit tonë, tha presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq në Ankara, raporton Anadolu.

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, priti me ceremoni zyrtare Milatoviqin në Kompleksin Presidencial në kryeqytetin turk, ndërsa pas takimit, dy liderët mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Në konferencë, Milatoviq u shpreh i kënaqur që sot ndodhej në Ankara, duke theksuar se simbolikë të veçantë mbart fakti që dy vendet po festojnë këtë vit 145-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, të cilat ai i vlerësoi si marrëdhënie mes dy vendeve mike.

Bashkëpunimi thelbësor në fushën e mbrojtjes dhe industrisë ushtarake do të forcohet më tej me hapjen e zyrës së të dërguarit turk në Mal të Zi, tha ai.

Duke folur për bashkëpunim ekonomik që ka potencial për zhvillim të mëtutjeshëm, Milatoviq ndër të tjera theksoi se numri i turistëve nga Turqia që vizitojnë Malin e Zi po rritet nga viti në vit.

“Turqia është një nga partnerët më të rëndësishëm strategjikë dhe ekonomikë të Malit të Zi”, tha Milatoviq, duke shtuar se ai dëshiron të inkurajojë investime më të mëdha, veçanërisht në veri të Malit të Zi, ku ka potenciale të mëdha.

Sipas tij, ai ka diskutuar me Erdoğanin forcimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, transportit dhe arsimit dhe ka shprehur shpresën se vitin e ardhshëm do të nënshkruajnë një marrëveshje partneriteti strategjik.

Ai tha se komuniteti i emigrantëve malazezë paraqet një lidhje të rëndësishme mes dy vendeve.

“Besoj se deri në vitin 2028, Mali i Zi do të bëhet shteti i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian”, tha Milatoviq, duke shtuar se është i bindur se para dhe pas arritjes së këtij qëllimi, Mali i Zi dhe Türkiye do të vazhdojnë të ndërtojnë marrëdhënie të bazuara respekt të ndërsjellë, besim dhe bashkim, duke kontribuuar në stabilitetin, paqen dhe zhvillimin jo vetëm të dy vendeve, por edhe të gjithë rajonit.

Ai ftoi presidentin e Turqisë Erdogan për një vizitë zyrtare në Mal të Zi.

Exit mobile version