Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Presidenti kolumbian thirrje OKB-së për Ukrainën dhe Palestinën

Presidenti kolumbian thirrje OKB-së për Ukrainën dhe Palestinën

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, i rekomandoi botës zhvillimin e dy samiteve të paqes për zgjidhjen e problemeve që vazhdojnë në Ukrainë dhe Palestinë, transmeton Anadolu.

Petro mori pjesë në samitin me temë “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm” i cili u mbajt në Këshillin e Kujdestarisë së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe theksoi se që nga fjalimi i fundit që ka mbajtur në OKB, në botë është përjetuar më shumë luftë dhe varfëri.

Ai u shpreh se për zgjidhjen e konflikteve në Ukrainë dhe Palestinë është e nevojshme që të mbahen samite të paqes.

“OKB-ja dhe njerëzimi duhet të përshpejtojnë rrugën për t’i dhënë fund luftërave. Rekomandoj kryesisht që të mbahen dy samite. Një në lidhje me luftën në Ukrainë dhe tjetri lidhur me konfliktin në çështjen e Palestinës, sepse që të dyja ngjasojnë me njëra-tjetrën. Ka një kuptim për t’i dhënë fund konflikteve dhe ka edhe kohë për t’u menduar sërish”, tha Petro.

Duke bërë të ditur se problemet e njerëzimit sa vijnë e thellohen, Petro tha: “Nëse vlerësojmë takimin e një viti më parë dhe këtë takim, padyshim që problemet e njerëzimit janë përkeqësuar më tej. Lufta vazhdon, varfëria dhe uria rriten, kriza e klimës ka shkuar në nivelin më të rëndë në krahasim me vitet e mëparshme. Arritja e objektivave të qëndrueshëm duket më larg se çdo herë”.

Duke vënë në dukje se bota po kalon një proces të pasuksesshëm në luftën kundër migracionit, Petro tha se përjetohet një migrim masiv serioz nga vendet e jugut drejt veriut.

Ndër të tjera Petro bëri të ditur se do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres dhe se më 19 shtator do të mbajë fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Exit mobile version