Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, vaksinohet kundër COVID-19

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, mori vaksinën kundër koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan u vaksinua në Spitalin e Qytetit në Ankara pas një takimi Këshillit Vendimmarrës dhe Drejtues të partisë së tij (AK Parti).

“Edhe unë u vaksinova”, shkroi presidenti turk në aplikacionin e medias sociale Telegram.

Ndërkaq, në një deklaratë në Twitter, në të cilën ai shpërndau edhe fotografi nga vaksinimi i tij, Erdoğan tha se shpresojnë që për një kohë të shkurtër, të vaksinohen të gjithë shtetasit e Turqisë.

Pas vaksinimit, Erdoğan u prononcua para gazetarëve, ku bëri të ditur se afro 300 mijë punonjës shëndetësorë janë vaksinuar kundër COVID-19 në Turqi deri më tani.

Ai po ashtu njoftoi se në Turqi do të vijnë edhe 25-30 milionë doza të tjera të vaksinës kundër COVID-19.

“Do të ishte shumë e qëlluar nëse liderët e partive politike dhe deputetët inkurajojnë marrjen e vaksinës kundër COVID-19”, deklaroi presidenti Erdoğan.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë i vendit, Fahrettin Koca, dje u bë shtetasi i parë i Turqisë që u vaksinua kundër koronavirusit pasi vendi zyrtarisht nisi fushatën e vaksinimit, menjëherë pasi organi shtetëror i barnave miratoi përdorimin urgjent të vaksinës CoronaVac të prodhuar në Kinë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, Turqia ka 1,1 milion punonjës shëndetësorë të cilët do të vaksinohen brenda një muaji. Dy doza të vaksinës do të administrohen me 28 ditë diferencë.

Personat e shëruar nga COVID-19 nuk do të vaksinohen katër deri në gjashtë muaj pas shërimit të tyre.

Grupi i parë i tre milionë dozave të vaksinës të porositura nga SinoVac Biotech nga Kina mbërriti në Turqi më 30 dhjetor.