Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta sot në Kosovë

Me rastin e përmbylljes së mandatit të tij, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, zhvillon sot një vizitë në Kosovë, ku do të takohet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe do t’i adresohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pret për vizitë zyrtare, me rastin e përmbylljes së mandatit të tij, presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta. (Sheshi “Ibrahim Rugova”, Prishtinë në orën 09:00).

Pas ceremonisë së pritjes presidentja Osmani zhvillon takim me presidentin Meta, pas të cilit do të ketë konferencë për media.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta iu adresohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në orën 11:50.

Presidentja Osmani dhe presidenti Meta marrin pjesë në hapjen solemne të Manifesta-s, në Platon e Pallatit të Rinisë, Prishtinë, në ora 19:50.

Meta do ta përmbyllë mandatin e tij si president duke ia lënë vendin tashmë presidentit të ri shqiptar, Bajram Begaj.

Policia e Kosovës nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditura angazhimet e saj për përcjelljen dhe sigurinë e presidentit Meta.

“Në kohën e ardhjes (pasdite) me 21 korrik, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme, në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta. Po ashtu edhe në ditën e kthimit, më 23 korrik, sipas agjendës zyrtare do të ndërmerren veprimet e njëjta policore, të lëvizjes së eskortës, në rrugët të cilat përdoren për qarkullim të eskortës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Me këtë rast, Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.