Ranil Wickremesinghe të mërkurën u zgjodh si president i vendit pasi mori 134 nga 225 votat në Parlament
Ushtruesi i detyrës së presidentit dhe kryeministrit të Sri Lankës, Ranil Wickremesinghe u betua sot si president i ri i vendit që po lufton me krizën më të thellë financiare, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai të mërkurën mori 134 nga 225 votat në Parlament.
Wickremesinghe i cili gjashtë herë ishte kryeministër i vendit, u betua duke u bërë presidenti i tetë i vendit.
Ai të mërkurën deklaroi se dëshiron të bashkojë të gjithë për të “arritur konsensusin kombëtar” dhe se është “mik i popullit” dhe jo mik i klanit Rajapaksa.
Populli i Sri Lankës për krizën fajëson dinastinë politike të Rajapaksa.
Ish-presidenti Gotabaya Rajapaksa u largua nga vendi për në Singapor pas protestave disa mujore në rrugë kundër krizës ekonomike në Sri Lankë që u përshkallëzuan në trazira sociale. Mijëra protestues sulmuan pallatin presidencial në kryeqytetin Kolombo dhe i vunë flakën shtëpisë së kryeministrit. Vëllai i Rajapaksa, Mahinda dha dorëheqje si kryeministër në maj.
Në mungesë të rezervave valutore pas kolapsit ekonomik , e cila varet nga turizmi, vendi ishullor prej 22 milionë banorësh nuk ka paguar të gjithë borxhin e tij të jashtëm.
Vendi nuk ishte në gjendje të paguante ushqimin, karburantin dhe nevojat e tjera themelore ndërkaq mungesa e karburantit çoi në ndërprerje afatgjate të energjisë elektrike. Shkollat janë mbyllur dhe nëpunësit civilë po punojnë nga shtëpia.
Qeveria është duke negociuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për një pako ndihme, por marrëveshja ende nuk është finalizuar. /aa