Presidenti i Paraguajit do të zhvendosë ambasadën në Kuds gjatë vizitës në Izrael

Paraguaji do të zhvendosë ambasadën e tij nga Tel Avivi në Kuds të enjten, tha sot presidenti Santiago Pena, transmeton Anadolu.

Pena mbërriti në Izrael sot herët në prag të zhvendosjes së ambasadës së vendit të tij, një veprim që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshëndeti si “të guximshëm”.

Knesseti (parlamenti) izraelit mbajti një seancë përshëndetëse për presidentin paraguaian, i cili u takua edhe me homologun e tij izraelit Isaac Herzog.

Në një deklaratë me shkrim, zyra e Herzogut e vlerësoi hapjen e ambasadës paraguaiane në Kuds si “historike”.

Në maj 2017, Paraguaji mbajti një ceremoni për inaugurimin e ambasadës së tij në Kuds. Megjithatë, në shtator 2018, vendimi u anulua dhe ambasada u zhvendos në Tel Aviv.

“Paraguaji dëshiron të kontribuojë në një intensifikimin e përpjekjeve diplomatike rajonale për të arritur një paqe të gjerë, të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, kishte thënë ministri i Jashtëm i atëhershëm, Luis Alberto Castiglioni.

SHBA-ja e zhvendosi ambasadën e saj nga Tel Avivi në Kuds në mesin e vitit 2018, në një lëvizje që tërhoqi dënime të gjera ndërkombëtare. Guatemala, Kosova dhe Hondurasi ndoqën lëvizjen e SHBA-së, por shumica dërrmuese e vendeve refuzuan të zhvendosnin ambasadat e tyre në Kuds.

Kudsi mbetet në zemër të konfliktit izraelito-palestinez, me palestinezët që shpresojnë që Kudsi Lindor, tani i pushtuar nga Izraeli, mund të shërbejë përfundimisht si kryeqyteti i një shteti të ardhshëm palestinez.