Presidenti i KE-së, Costa: Zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor është përparësi për BE-në

Shqipëria do të hapë sot kapituj të rinj në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), që janë të fokusuara tek “Tregu i brendshëm”, raporton Anadolu.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeson delegacionin shqiptar në këto bisedime, i përbërë nga ministra, zëvendësministra dhe zyrtarë të tjerë drejtues për kapituj përkatës.

Në një deklaratë për mediat nga Brukseli në prag të konferencës së katërt ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, kryeministri Rama u shpreh se janë të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat.

“Në përgjithësi jam shumë i inkurajuar nga këto zhvillime dhe jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat të kalendarit që është shumë ambicioz për të mbyllur të gjitha negociatat brenda vitit 2027”, u shpreh Rama.

Costa theksoi se mënyra më e mirë për të garantuar mirëqenien, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është anëtarësimi në BE.

“Zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor është një përparësi e qartë për Bashkimin Evropian dhe është investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik për paqen, begatinë dhe për stabilitetin e kontinentit tonë. Është vërtet inkurajuese të shohësh progresin që ka bërë Shqipëria në këtë rrugëtim”, tha Costa.

Pas takimeve në Bruksel, Rama do të udhëtojë drejt Luksemburgut për të marrë pjesë në konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Në konferencën e sotme përfshihen kapitujt mbi lëvizjen e lirë të mallrave, liria e lëvizjes së punëtorëve, lëvizja e lirë e kapitalit, ligji i pronësisë intelektuale dhe çështje të tjera.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014. Konferenca e parë ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së është mbajtur në korrik 2022. Në tetor 2024 u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt e parë, ndërsa konferenca e tretë ndërqeveritare u mbajt në dhjetor 2024.