Presidenti i gjykatës së lartë të OKB-së jep dorëheqje pas raportimeve për emërimin e tij si kryeministër i Libanit

Gjykatësi Nawaf Salam, president i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Gjykatësi Nawaf Salam, president i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij si anëtar i gjykatës më të lartë të OKB-së, me efekt që nga e njëjta ditë e dorëheqjes së tij, transmeton Anadolu.

Dorëheqja e gjykatësit Salam vjen gati dy vite para përfundimit të paraparë të mandatit të tij si anëtar dhe president i gjykatës, i cili ishte përcaktuar të përfundojë më 5 shkurt të vitit 2027.

Largimi i gjykatësit Salam përkon me raportet për emërimin e tij si kryeministër i ri i Libanit.

Sipas raporteve në media, presidenti i zgjedhur së fundmi i Libanit ka ngarkuar diplomatin dhe juristin e nderuar të formojë një qeveri të re.

Sipas nenit 14 të Statutit të Gjykatës, Këshilli i Sigurimit i OKB-së tani do të përcaktojë datën për zgjedhjen e pasuesit të gjykatësit Salam.

Gjykatësi i sapozgjedhur do të përfundojë pjesën e mbetur të mandatit të Salam-it si anëtar i gjykatës, siç përcaktohet në nenin 15 të Statutit të Gjykatës.

Salam ka qenë anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që nga 6 shkurti i vitit 2018 dhe mori kryesimin e gjykatës më 6 shkurt të vitit 2024.

Mandati i tij në gjykatën e lartë të OKB-së shënoi një vazhdimësi të një karriere të shquar në diplomacinë dhe drejtësinë ndërkombëtare.

Para se t’i bashkohej gjykatës, Salam shërbeu si ambasador i Libanit dhe përfaqësues i përhershëm në OKB nga korriku i vitit 2007 deri në dhjetor të vitit 2017, ku ai fitoi njohjen për aftësitë dhe lidershipin e tij diplomatik.