Presidenti francez Emmanuel Macron e ka ndërruar telefonin e tij mobil dhe numrin e telefonit pas skandalit të spiunazhit me softuerin Pegasus.
Kështu ka bërë të ditur një zyrtar të enjten duke bërë publik njërin ndër veprimet e para konkrete në lidhje me skandalin.
“Ai i ka disa numra të telefonit. Kjo nuk do të thotë se është spinuar. Është vetëm siguri shtesë”, tha ai për Reuters.
Zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal tha se protokollet e sigurisë së presidentit po adaptohen pas incidentit me Pegasus.
Një reagim botëror u nxit pasi disa media ndërkombëtare raportuan se softueri Pegasus u përdor për të hakuar telefonat e mençur të gazetarëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe zyrtarëve shtetërorë në disa shtete.
Gazeta Le Monde dhe transmetuesi Radio Franca kanë raportuar të martën se telefoni i presidentit Macron ishte në listën e synimeve potenciale për përgjime nga Maroku. Dy mediat thanë se nuk kanë pasur qasje në telefonin e Macronit dhe nuk kanë mundur të verifikojnë nëse ai është spiunuar.
Në anën tjetër, Maroku i ka mohuar këto pretendime.
Një hetim i kryer nga 17 mediume – përfshirë Le Monde – i publikuar më 18 korrik, ka krijuar lidhje në mes të kompanisë NSO, e akuzuar për furnizim të qeverive me këtë softuer, me një databazë me mbi 50,000 numra telefonash, që besohet se janë identifikuar si persona me interes nga klientët e kompanisë, prej vitit 2016.
Kompania NSO ka pasur klientë Qeveritë e Azerbajxhanit, Bahrejnit, Hungarisë, Inidisë, Indonezisë, Kazakistanit, Meksikës, Monakos, Ruandës, Arabisë Saudite, Togos dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, është thënë në hulumtim.
Vetë kompania NSO ka hedhur poshtë çfarëdo keqbërje, duke thënë se softueri është krijuar për të ndjekur kriminelë dhe terroristë dhe është i qasshëm vetëm për ushtrinë, zyrtarë për zbatim të ligjit dhe agjenci të inteligjencës, me nivel të lartë të respektimit të të drejtave të njeriut.
Në listë janë përfshirë 189 gazetarë, më shumë se 600 politikanë dhe zyrtarë qeveritarë, të paktën 65 biznesmenë, 85 aktivistë për të drejta të njeriut dhe disa kryetarë shtetesh, ka raportuar e përditshmja amerikane The Washington Post.
Gazetarët punojnë për mediumet përfshirë Radion Evropa e Lirë, Associated Press, Reuters, CNN, The Wall Street Journal, Le Monde dhe Financial Times.
Pegasus infekton pajisjet iPhone dhe Android, duke u mundësuar operatorëve që të incizojnë bisedat telefonike, të kenë qasje në mesazhe, fotografi, emaila, fjalëkalime, si dhe të aktivizojnë fshehurazi mikrofona dhe kamera. /rel