Presidenti i Algjerisë kërkon “respekt total” nga Franca

Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, të dielën kërkoi “respektin total” të Francës për vendin e tij, pas rritjes së tensioneve midis dy shteteve për shkak të deklaratave të homologut të tij francez, raporton Anadolu Agency (AA).

Kthimi i ambasadorit algjerian në Francë është i kushtëzuar me “respektin total” për sovranitetin, institucionet dhe fuqinë e Algjerisë, tha Tebboune për mediat lokale.

Tebboune tha se pala franceze duhet të harrojë se Algjeria dikur ishte një koloni franceze. “Algjeria është e fortë me ushtrinë dhe njerëzit e saj krenarë, të cilët i nënshtrohen vetëm Zotit”, theksoi ai.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, nxiti tensionet me Algjerinë dhe madje edhe Turqinë, gjatë një takimi të fundit me pasardhësit e algjerianëve që luftuan në anën e Francës gjatë luftës së Algjerisë për pavarësi.

Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Francës për t’u distancuar nga e kaluara e saj mizore koloniale, Macron pohoi se “ka pasur kolonizim para sundimit kolonial francez” në Algjeri, duke aluduar në praninë osmane në këtë vend midis viteve 1514 dhe 1830.

“Ndërtimi i Algjerisë si komb është një fenomen që ia vlen të shihet. A ka pasur një komb algjerian para kolonizimit francez? Kjo është pyetja”, tha ai.

Algjeria nxitoi të dënonte ashpër deklaratat, duke tërhequr ambasadorin e saj dhe duke mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët ushtarakë francezë.

– Kolonializmi francez në Algjeri

Algjeria përfaqëson shembullin më të fundit dhe më të përgjakshëm të historisë koloniale të Francës në kontinentin afrikan.

Përafërsisht 1,5 milion algjerianë u vranë dhe miliona të tjerë u shpërngulën në një luftë tetëvjeçare për pavarësi që filloi në vitin 1954.

Franca gjithashtu ka kryer një gjenocid kulturor kundër Algjerisë që nga viti 1830, duke shkatërruar historinë osmane 300-vjeçare të Algjerisë dhe identitetin e saj lokal dhe gjithashtu duke transformuar shumë monumente kulturore dhe fetare në vend.

Franca kurrë nuk i ka kërkuar falje zyrtarisht Algjerisë si shtet për politikat e saj koloniale. /aa