Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka njoftuar vendimin e tij për shpërbërjen e Parlamentit Federal të Gjermanisë (Bundestag) dhe ka caktuar datën e zgjedhjeve të reja të përgjithshme për më 23 shkurt, transmeton Anadolu.
Para mediave në Berlin, presidenti Steinmeier tha se shpërndarja e parlamentit “tani është rruga e duhur”.
“Në kohë të vështira si tani, stabiliteti kërkon një qeveri efektive dhe shumicë të besueshme në parlament”, theksoi presidenti gjerman.
Më 16 dhjetor, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kërkoi nga parlamenti një votëbesim pasi koalicioni i përbërë nga Social Demokratët (SPD), Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë (FDP) u shpërbë në muajin nëntor.
Scholz nuk siguroi shumicën në mocionin ndaj tij, ashtu siç edhe ai synonte. Më pas, ai i kërkoi presidentit Steinmeier të shpërndajë Bundestagun në bazë të nenit 68 të Kushtetutës.
Sipas këtij neni, presidenti me propozim të kancelarit mund të shpërndajë parlamentin brenda 21 ditëve nëse kancelari humbet votëbesimin.
Votëbesimi ndaj kancelarit Scholz ishte i gjashti në historinë e republikës federale. Në herët e kaluara, Bundestagu u shpërnda në tre raste prej tyre.