Presidenti gjerman: Liritë në Evropë janë në rrezik për shkak të Rusisë

Presidenti gjerman, Frank Walter Steinmeier, tha se liria në Evropë ndodhet nën kërcënim për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, transmeton Anadolu.

Steinmeier organizoi pritjen e vitit të ri në Pallatin Bellevue për krerët e misioneve të huaja që shërbejnë në Berlin.

Duke iu drejtuar shefave të misioneve, Steinmeier tha: “Liritë në Evropë janë sërish nën kërcënim pas luftës që Rusia ka hapur ndaj Ukrainës. (Presidenti rus Vladimir) Putin e ka rikthyer luftën në Evropë. Por ai nuk ka sulmuar vetëm një vend, ai ka sulmuar paqen në të gjithë Evropën”.

Duke vënë në dukje se përgjigja e Evropës ndaj kësaj lufte e cila shkel të drejtën ndërkombëtare, duhet të jetë e qartë dhe e saktë, Steinmeier tha: “Ne jemi në favor të ligjit dhe vlefshmërisë së ligjit ndërkombëtar, paqes dhe fqinjësisë së mirë. Ukraina është në rrugën që shkon drejt një paqeje dhe një të ardhmeje të drejtë në Bashkimin Evropian dhe në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së saj mund të vazhdojë të besojë se ne si gjermanë do të qëndrojmë pranë tyre”.

Aleanca transatlantike ka qëndruar ngushtë, e fortë dhe e palëkundur që nga lufta Rusi-Ukrainë, tha Steinmeier. “Ne jemi ndoshta në momentin më të rrezikshëm në këtë kontinent që nga Lufta e Ftohtë”, u shpreh ai.

– Steinmeier tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Gjermanisë

Steinmeier rikujtoi se Gjermania është anëtare e NATO-s për 70 vjet dhe tha se aleancat e forta janë të rëndësishme për Gjermaninë dhe SHBA-në.

Pasi vuri në dukje se marrëdhëniet pozitive midis vendeve kërkojnë besim dhe respekt të ndërsjellë, Steinmeier u shpreh: “Në përvojën time më shumë se 30 vjeçare politike, ashtu siç ka pasur gjithmonë më shumë afërsi dhe distancë midis amerikanëve dhe gjermanëve, ka pasur edhe kohë konflikti. Por ka qenë gjithmonë e drejtë të trajtojmë njëri-tjetrin me respektin e drejtë. Unë pres të njëjtën gjë edhe në 4 vitet e ardhshëm. Ne do të vazhdojmë të kemi nevojë për njëri-tjetrin në të ardhmen”.

Frank Walter Steinmeier në fjalën e tij theksoi se shpërbërja e Bundestagut para përfundimit të seancës legjislative dhe zgjedhjet e parakohshme janë një situatë e jashtëzakonshme. “Madje edhe pas zgjedhjeve që po afrohen, bazat e politikës sonë të jashtme do të mbeten të njëjta. Këto baza përfshijnë gjithashtu angazhimin tonë për Evropën”.

Në pritjen e Vitit të Ri mori pjesë edhe ambasadori turk në Berlin, Ahmet Başar Şen.