Presidenti francez Emanuel Makron propozon dërgimin e ushtrisë në vendet e Afrikës Veriore për të kontrolluar fluksin e refugjatëve dhe emigrantëve që nisen nga brigjet afrikane drejt Europës. Propoizmin e bëri gjatë samitit të Parisit për refugjatët ku morën pjesë udhëheqësit e 7 vendeve europiane dhe afrikane.
Vendet europiane do të dërgojnë trupa ushtarake në shtetet e Afrikës Veriore, për të kontrolluar fluksin e refugjatëve dhe emigrantëve, që kalojnë ilegalisht drejt Europës përmes ujërave të detit mesdhe.
Propozimin e bëri presidenti francez Emanuel Makron, gjatë takimit të nivelit të lartë zhvilluar pasditen e të hënës në pallatin Elize në Paris. Në samit ishin të pranishëm udhëheqësit e 7 vendeve europiane dhe atyre afikane, Francës, Gjermanisë, Italisë, Spanjës, Libisë, Çadit e Nigerisë.
Për presidentin francez, një forcë e përbashkët ushtarake europiane duhet të dërgohet në vendet afrikano-veriore, në kuadër të një bashkëpunimi të ngushtë me qeveritë e këtyre vendeve, në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore. Një rol të veçantë këtu luan edhe Libia, që sipas Makronit duhet të hyjë në një proces stabilizimi, duke i dhënë mbështetje qeverisë së Fajez al-Serrazhit, të njohur nga komuniteti ndërkombëtar.
Makron dha edhe mbështetje për propozimin e kancelares gjermane Angela Merkel, për rishikimin e traktatit të Dublinit, sipas të cilit refugjatët duhet të strehohen në vendet e para europiane, që shkelin. Sipas Merkelit nuk është e drejtë që vende si Italia, Greqia e Spanja të mbajnë të vetme barrën e rëndë të refugjatëve.
I pranishëm në samit, kryeministri italian Paolo Xhentiloni tha se Italia është e gatshme të strehojë refugjatët që kërkojnë azil. Por sipas tij, duhet bashkëpunim dhe ndarje e barabartë e përgjegjësive për këtë fenomen nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian.
Ndërsa kryeministri libian, Fajez al-Serrazh tha se Libia nuk është vend origjine i emigrantëve që dynden në Europë, por viktimë e këtij fenomeni, duke qenë së shfrytëzohet si vend tranziti për emigrantët nga e gjithë Afrika.
Prej 2015-ës, vendet e jugut të Europës që lagen nga deti Mesdhe po përballen me dyndje masive prej qindra mijëra të refugjatëve që vijnë nga brigjet afrikane përballë, kryesisht në kërim të një jete më të mirë por edhe për ti shpëtuar konflikteve të shumta në vendet e tyre të origjinës. Rrugëtimet i kanë marrë jetën dhjetëra mijëra emigrantëve klandestinë, varkat e të cilëve janë fundosur për shkak të mbushjes mbi kapacitetet, duke u shndërruar në tragjedi.