Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, të premten tërhoqi miratimin e tij për ushtrinë, ku më herët i lejoi ushtrisë të bombardonte xhamitë në Marawi City, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti filipinas u tha ushtarëve se qeveria duhet të jetë e vetëdijshme për implikimet kulturore dhe ideologjike të xhamive, në luftën kundër terroristëve Maute të lidhur me DEASH-in në jug të vendit.
“Ne nuk mund të shkatërrojmë xhaminë… do të krijojë një urrejtje të pafundme”, raporton një media lokale të ketë deklaruar Duterte në Davao City, përderisa muslimanët festonin Kurban Bajramin.
Më tej, Dukerte ka theksuar se, “Çfarë do të na japë ajo në kuptimin e vullnetit të mirë”, duke shtuar se “bombardimi i vendit të adhurimit të muslimanëve nuk do të ndihmonte kauzën.”
Konflikti i armatosur mes qeverisë dhe grupit terrorist të lidhur me DEASH-in në Marawi City, nxiti presidentin Duterte të shpallte një ligj ushtarak 60 ditor në Mindanao, ku më pas iu dha një kohëzgjatje pesë mujore deri në fund të vitit, 31 dhjetor.
Të premten, ditën e një ndër festave më të mëdha muslimane, duke folur para qindra ushtarëve Duterte zbuloi se kishte konsideruar heqjen e ligjit ushtarak.
“Mendova se ne mundemi, ta heqim atë (ligjin ushtarak) më herët. Por, mënyra si duket (konflikti) është shpërndarë në Rajonin Autonom në Mindanao-n Muslimane”, theksoi ai.
Ndryshe, presidenti filipinas, Rodrigo Duterte, të mërkurën i dha ushtrisë së tij të drejtën për t’i dhënë fund betejës së gjatë në qytetin Marawi që mund të përfshinte bombardimin e xhamive.
Konflikti në Marawi City, i cili shpërtheu më 23 maj, pas sulmit nga grupet Maute dhe Abu Sayyaf që lidhen me DEASH-in, është në ditën e tij të 104.
Trupat qeveritare vlerësuan mundësinë e sulmit ndaj xhamive, por u ndalën nga autoritetet më të larta, përfshirë Duterte-n duke marrë parasysh ligjet ndërkombëtare që ndalojnë sulmet ndaj objekteve fetare.
Autoritetet ushtarake theksuan se ushtria tani është duke zbatuar një goditje përfundimtare në luftën kundër grupeve Maute dhe Abu Sayyaf për të tërhequr “njëherë e përgjithmonë” terroristët e lidhur me DEASH-in.
Përleshjet kanë detyruar shpërnguljen e mbi 200 mijë njerëzve nga Marawi City dhe nga zonat e afërta. Kriza gjithashtu ka shkatërruar pjesën më të madhe të qendrës së dikurshme urbane.