Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, u ka bërë thirrje investitorëve të huaj që të investojnë në mënyrë afatgjate në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Është koha që investitorët e huaj të bëjnë investime afatgjate. Ata që kanë bërë investime afatgjate në Turqi, kanë fituar gjithmonë dhe do të vazhdojnë të fitojnë”, tha presidenti Erdoğan në një intervistë për transmetuesin shtetëror turk TRT.
Erdoğan theksoi se Turqia po ul deficitin e llogarisë korente çdo muaj.
Ai përsëriti parashikimin e tij se ai pret që ekonomia turke të zgjerohet me 10 për qind të paktën deri në fund të këtij viti dhe tha se rritja ekonomike mund ta kapërcejë atë nivel.
Presidenti turk po ashtu tha se për momentin Turqia po ul normat e interesit dhe shprehu bindje se vendi do të regjistrojë edhe një rënie të inflacionit.
“Nuk do të lejojmë askënd që ta bëjë të paqëndrueshme rritjen ekonomike dhe do të dalim nga kjo spirale”, theksoi ai.
Duke theksuar se Turqia ka qenë në një spirale në lidhje me normat e larta të interesit dhe me spekulimet në monedhën turke, Erdoğan tha se luhatjet e fundit të vërejtura në kurset e këmbimit nuk pasqyrojnë fuqinë e ekonomisë turke.
“Ne nuk do t’u japim asnjë drejtim atyre që po operojnë për të prishur tregjet dhe për të shqetësuar sjelljet e çmimeve”, theksoi presidenti Erdoğan. /aa