Presidenti Erdoğan takon për bisedime prokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka takuar prokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, në margjinat e seancës së 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, raporton Anadolu.

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura për mediat në Shtëpinë Turke në New York.

Asnjë informacion i mëtejshëm nuk u lëshua lidhur me takimin, por Türkiye dhe presidenti Erdoğan kanë mbrojtur fuqishëm mbajtjen e administratës izraelite të Benjamin Netanyahut përgjegjëse në gjykatat ndërkombëtare për ofensivën e saj të pamëshirshme gati 1-vjeçare ndaj Rripit të Gazës, që ka vrarë mbi 41 mijë palestinezë dhe ka plagosur rreth 95.800 të tjerë.

Në muajin maj, Khan kërkoi që gjykata të lëshojë urdhra arresti për Netanyahun dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, me dyshimin për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.

Që atëherë, Khan ka kërkuar dy herë, së fundmi në muajin gusht, që gjykata të përshpejtojë lëshimin e urdhër arresteve.

Që nga 7 tetori i vitit të kaluar, sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë mbi 41.400 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe kanë plagosur mbi 95.500 të tjerë.

Sulmet izraelite ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit palestinez mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli po ashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet në Gaza.