Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, do të takohet me shumë liderë, kryesisht me presidentin amerikan, Joe Biden, në Samitin e NATO-s që do të mbahet më 14 qershor në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, transmeton Anadolu Agency (AA).
Më 13 qershor, Erdoğan do të udhëtojë drejt Belgjikës për Samitin e NATO-s i cili do të mbahet në selinë e NATO-s dhe në të cilin do të marrin pjesë krerët e shteteve dhe qeverive.
Erdoğan, i cili do të mbajë takime dypalëshe me liderët e vendeve anëtare të NATO-s, do të zhvillojë takime kokë më kokë me presidentin amerikan Joe Biden, presidentin e Lituanisë, Gitanas Nauseda, presidentin e Letonisë, Egils Levits, kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministrin britanik, Boris Johnson, kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis. Po ashtu po planifikohet edhe takimi i Erdoğan me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin holandez, Mark Rutte. Krahas çështjeve të aleancës së NATO-s, në bisedime pritet që të vijnë në rendin e ditës edhe çështjet për marrëdhëniet dypalëshe dhe ato rajonale.
Takimi Erdoğan-Biden do të jetë takim i parë ku dy liderët takohen kokë më kokë pas zgjedhjes së Biden si president i SHBA-së.
Agjenda parësore e delegacionit turk nën kryesimin e presidentit Erdoğan në Samitin e NATO-s do të jetë respektimi i ndjeshmërisë së sigurisë dhe të drejtave sovrane të Turqisë lidhur me zhvillimet në rajonin e saj. Në Samit theksi do të vihet në vendosmërinë e Turqisë mbi këto çështje.
Gjithashtu do të nënvizohet se Turqia është një vend i cili përmbush detyrat e saj në kuadrin e aleancës dhe bashkëbiseduesve do t‘u përsëriten propozimet për bashkëpunim në luftën kundër terrorizmit dhe ndërhyrje efektive ndaj krizave humanitare.
Në Samit bashkëbiseduesve do t‘i përcillet edhe mendimi se duhet të vazhdojë mbështetja individuale e NATO-s dhe e aleatëve të saj kundër kërcënimit terrorist që mund të përjetohet në Afganistan pas tërheqjes së forcave të NATO-s dhe SHBA-së. Ndër të tjera do të theksohet se Turqia do të zbatojë përgjegjësitë e saj për zhvillimin në mënyrë të suksesshme të procesit të paqes në këtë kuadër.
Samiti i parë ndërkombëtar ballë për ballë pas rreth një viti e gjysmë
Në anën tjetër, ky samit ka cilësinë e samitit të parë ndërkombëtar, ku presidenti Erdoğan merr pjesë ballë për ballë për herë të parë pas rreth një viti e gjysmë. Së fundmi Erdoğan pas ftesës së bërë nga kancelarja gjemane Angela Merkel, mori pjesë në samitin e zhvilluar për Libinë më 19 janar 2020 në Gjemani, ndërkohë që në shumë programe të tjera ndërkombëtare të mbajtur pas kësaj date të tillë si Samiti D-8, Samiti i 14-të i Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik, Samiti i Klimës presidenti Erdoğan ka marrë pjesë nëpërmjet lidhjes në internet. /aa