Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi ka paralajmëruar qytetarët e Egjiptit që të mos lindin më shumë se tre fëmijë, raporton Anadolu Agency (AA).
El-Sisi në fjalimin e Konferencës së 4-t të të rinjve në qytetin egjiptian Aleksandria tha se ata që do të kenë më shumë se tre fëmijë do të përgjigjen para Zotit.
“Ata që do të kenë më shumë se tre fëmijë, do të përgjigjen para Zotit. Nataliteti në Egjipt paraqet rrezik, në masën më të vogël sa edhe terrorizmi”, tha El-Sisi.
Ai po ashtu theksoi se disa prindër, të cilët kanë më shumë se tre fëmijë, madje nuk mund të sigurojnë as ushqim për fëmijët e tyre.
“Shohim disa njerëz që kanë edhe nga katër fëmijë. Nuk kanë madje as për ushqim. Këta njerëz do të përgjigjen para Zotit. Sepse kanë bërë padrejtësi ndaj fëmijëve të tyre”, tha presidenti egjiptian para të tubuarve.
Ministri i Shëndetësisë i Egjiptit, Ahmed Emad Eldin Rady, në fjalimin e tij në konferencë tha se numri i banorëve të Egjiptit deri në vitin 2030 mund të arrijë në 120 milionë.
“Nëse shkalla e natalitetit në Egjipt vazhdon me këtë ritëm, numri i banorëve në vendin tonë deri në vitin 2030 do të jetë rreth 120 milionë”, tha Rady.
El-Sisi në muajin maj deklaroi se autoritetet egjiptiane punojnë në përpilimin e ligjit për kontroll të natalitetit, duke paralajmëruar se qytetarët që nuk do të respektojnë do të sanksionohen.
Sipas të dhënave nga muaji prill i vitit 2017, popullsia e Egjiptit arrin në 100 milionë banorë.