Presidenti egjiptian takon princin saudit në Kajro

Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, ka pritur në një takim princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman, pas mbërritjes në aeroportin e Kajros, transmeton Anadolu.

Presidenca egjiptiane njoftoi se bin Salman mbërriti në Kajro për vizitë, por nuk specifikoi kohëzgjatjen e vizitës.

Agjencia shtetërore egjiptiane e lajmeve MENA raportoi se dy liderët pritet të eksplorojnë mënyrat për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe, si dhe një mori çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare.

Më 16 shtator, bin Salman u takua në Riad me kryeministrin egjiptian, Mostafa Madbouly, për të diskutuar mbi rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve.

Në qershor të vitit 2022, gjatë një vizite në Egjipt, bin Salman zhvilloi bisedime me al-Sisin, gjatë të cilave ata pohuan qëndrimin e tyre dhe fatin e përbashkët, duke kulmuar me nënshkrimin e 14 marrëveshjeve për investime.

Në nëntor të vitit 2023, presidenti egjiptian dhe princi i kurorës saudite u takuan në Riad dhe i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë për të ndaluar përshkallëzimin ushtarak izraelit në Rripin e Gazës.