Presidenti egjiptian takohet me kryediplomatin iranian, bën thirrje për deeskalim rajonal

Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi gjatë një takimi në Kajro me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi

Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi bëri thirrje për deeskalim rajonal gjatë një takimi në Kajro me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të Presidencës egjiptiane thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në rajonin e Lindjes së Mesme.

Sisi përsëriti qëndrimin e Egjiptit për të shmangur zgjerimin e konfliktit në një luftë rajonale gjithëpërfshirëse “që do të ketë pasoja të rrezikshme” për të gjitha vendet e rajonit.

Ai gjithashtu bëri thirrje për ndjekjen e përpjekjeve ndërkombëtare për të arritur një armëpushim në Gaza dhe Liban dhe për të ndalur sulmet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Araghchi mbërriti në Kajro mbrëmë vonë nga Jordania në mes të përpjekjeve diplomatike për të parandaluar çdo sulm izraelit ndaj Iranit mes tensioneve të vazhdueshme.

Irani është në gatishmëri të lartë, në pritje të një përgjigjeje ushtarake izraelite ndaj sulmit me raketa të 1 tetorit nga Teherani, për të cilin tha se ishte në hakmarrje për vrasjet e fundit të liderëve të Hezbollahut dhe Hamasit.