Presidenti egjiptian, Abdel-Fattah al-Sisi dhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, kanë diskutuar përpjekjet për të arritur një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Siç njofton presidenca egjiptiane, al-Sisi shqyrtoi “përpjekjet intensive” të Egjiptit për të arritur një armëpushim të menjëhershëm, shkëmbimin e të burgosurve dhe lejimin e qasjes në ndihmë të mjaftueshme humanitare në Gaza.
Presidenti egjiptian vlerësoi përpjekjet e ushtruara nga Guterres për të nxitur komunitetin ndërkombëtar të kontribuojë në ndalimin e luftës izraelite në Gaza, si dhe dëshirën e tij për t’iu përmbajtur ligjit ndërkombëtar dhe ligjit të bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Është e rëndësishme që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të marrë përgjegjësinë e tij në lidhje me luftën në Gaza”, tha al-Sisi.
Ai gjithashtu paralajmëroi për pasojat e rënda të ndalimit të financimit për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA).
“Ky konsiderohet një dënim kolektiv i palestinezëve të pafajshëm”, tha al-Sisi.
Shefi i OKB-së, nga ana e tij, përshëndeti rolin rajonal të Egjiptit si një shtyllë kryesore të stabilitetit.
Ai theksoi rëndësinë e arritjes së një armëpushimi për “qëllime humanitare për të mundësuar shpërndarjen efektive të ndihmave për njerëzit e Rripit të Gazës”.
Guterres mbërriti dje në qytetin egjiptian El-Arish, ngjitur me Rripin e Gazës, ku vizitoi pacientët palestinezë në spitalin e qytetit.
Kjo është vizita e tij e dytë në Egjipt që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza më 7 tetor të vitit të kaluar.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.
Të paktën 32.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza që atëherë dhe mbi 74.500 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.