Presidenti aktual bullgar Rumen Radev ka fituar një mandat të dytë pesëvjeçar, duke mundur kundërshtarin Anastas Gerdzhikov në balotazhin e 21 nëntorit.
Sipas rezultateve zyrtare preliminare, 58-vjeçari Radev mori 66 për qind të votave ndërsa Gerdzhikov, rektor i Universitetit të Sofjes, fitoi 32 për qind.
Radev kandidoi me premtimin për luftimin e korrupsionit në vendin anëtar të Bashkimit Evropian.
Ai nuk fitoi një shumicë në votimin e rundit të parë të fundjavës së kaluar, duke marrë 49 për qind krahasuar me 23 përqind për Gerdzhikov.
Hulumtimet thanë se pjesëmarrja e votuesve në balotazh ishte më pak se 40 për qind, një nivel i ulët, por jo diçka që do të ndikonte në vlefshmërinë e rezultatit.
Presidenca e Bullgarisë ka rol kryesisht ceremonial, por Radev e ka transformuar rolin dhe ka qenë aktiv në luftën kundër korrupsionit.
Bullgarët votuan më 14 nëntor edhe për zgjedhjen e parlamentit të ri. Ky proces zgjedhor është vlerësuar shumë i rëndësishëm pasi vendi anëtar i Bashkimit Evropian është i përfshirë në një krizë politike disamujore.
Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare partia e re kundër korrupsionit “Ne Vazhdojmë Ndryshimin” doli e para, e pasuar nga partia e qendrës së djathtë GERB e ish-kryeministrit, Bojko Borisov.
Bullgaria vlerësohet të jetë rrënuar nga korrupsioni që nga përmbysja e komunizmit më shumë se tre dekada më parë.
Vazhdimisht ky vend kritikohet për korrupsion dhe liri të medias. /rel