Presidenti Begaj vizitë në Austri

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Austri, ndërkohë është pritur me ceremoni nga homologu austriak, Alexander Van der Bellen, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Begaj dhe Van der Bellen, zhvilluan fillimisht një takim kokë më kokë, më pas me praninë e delegacioneve dhe mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për mediat.

“Në konfirmim të miqësisë tradicionale Shqipëri-Austri kryetarët e dy shteteve ndanë qëndrime të njëjta për një partneritet intensiv dhe të qëndrueshëm, për përballimin e sfidave integruese rajonale dhe evropiane dhe për një vizion strategjik në lidhje me bashkimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se Presidenti Begaj i shprehu homologut të tij mirënjohjen ndaj Austrisë për mbështetjen e hershme, të vazhdueshme e të përkushtuar në shumë fusha, si: në ekonomi, arsim, turizëm, në reformën në drejtësi dhe në veçanti në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

– Shqipëria dhe Austria kanë një dialog politik të shkëlqyer

Begaj ka theksuar se Shqipëria dhe Austria kanë një dialog politik të shkëlqyer dhe ndajnë të njëjtat interesa strategjike, duke ruajtur sipas tij vlerat e përbashkëta euroatlantike.

“Ne duhet të mundësojmë që këto interesa strategjike të reflektohen në veprime të përbashkëta për një të ardhme të një Shqipërie të zhvilluar, një Shqipëri anëtare të Bashkimit Evropian, një Ballkan Perëndimor të sigurt, paqësor dhe të integruar në BE, dhe një rajon larg ndikimit të aktorëve të tretë”, ka theksuar Begaj.

“Gjatë takimit Begaj-Van der Bellen u diskutua edhe Kosova, për të cilën Presidenti i Republikës i përcolli homologut të tij mirënjohje për rolin dhe kontributin e Austrisë për pavarësinë, fuqizimin e shtetit të ri të Kosovës, për njohjet e reja dhe anëtarësimin e saj në organizata rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Takimin e Komunitetit Politik Evropian, që do të zhvillohet në Tiranë në muajin maj, sipas njoftimit, Presidenti Begaj e konsideroi si të rëndësishëm dhe një lajm të mirë për Shqipërinë.

Presidenti Begaj do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë austriakë dhe me shqiptarët që jetojnë në Austri.