Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj priti sot në një takim kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiral Giuseppe Cavo Dragone, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se pasi e uroi për detyrën dhe e falënderoi për përzgjedhjen e Shqipërisë për vizitën e tij të parë në rajon, Begaj shprehu vlerësimin për misionin dhe rolin e NATO-s.
Presidenti Begaj ka theksuar se prania e NATO-s në rajon dhe prezenca e KFOR-it në Kosovë dëshmojnë për rëndësinë dhe vëmendjen që NATO i kushton rajonit.
“Të jemi së bashku, të diskutojmë së bashku, të gjejmë zgjidhjet së bashku sepse vetëm nëse jemi të unifikuar dhe bashkë, ne do të jemi më të fortë. Paqja dhe siguria janë dy fjalë magjike jo vetëm për rajonin tonë në kohërat që po jetojmë. Ne duhet të punojmë fort për t’i garantuar ato”, është shprehur Begaj.
Begaj ka theksuar se duhet mbështetje për Kosovën që sipas tij të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare dhe të rrisë bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe iniciativave rajonale.
Ai ka theksuar se Shqipëria ka rritur buxhetin e mbrojtjes, vijon modernizimin e Forcave të Armatosura dhe ka shtuar përfaqësimin e saj në misionet dhe operacionet e NATO-s.
“Është shumë i rëndësishëm investimi në projektet infrastrukturore, si Korridori VIII dhe porti i ri Porto Romano, të cilat realizojnë ndërlidhjen strategjike dhe rrisin lëvizshmërinë ushtarake”, tha ndër të tjera Begaj.