Presidenti amerikan urdhëron rishikimin e deklasifikimit të dokumenteve të 11 shtatorit

Presidenti amerikan Joe Biden udhëzoi Departamentin e Drejtësisë të bëjë një rishikim të deklasifikimit të dokumenteve të ndjeshme nga hetimet e FBI-së për 11 shtatorin që mund të inkriminojnë zyrtarë të lartë sauditë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Biden u zotua gjatë fushatës për të urdhëruar deklasifikimin e dokumenteve pavarësisht goditjes së mundshme nga Riadi, dhe tha në një deklaratë të lëshuar përpara 20 vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit se ai “po e respekton atë angazhim”.

Urdhri i presidentit udhëzon Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland që dokumentet e deklasifikuara t’i publikojë publikisht gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

“Ne kurrë nuk duhet të harrojmë dhimbjen e vazhdueshme të familjeve dhe të dashurve të 2.977 njerëzve të pafajshëm që u vranë gjatë sulmit më të keq terrorist në Amerikë në historinë tonë”, tha Biden.

Njoftimi vjen teksa presidenti përballet me presion nga afro 1.800 të afërm të viktimave për të mos marrë pjesë në ngjarjet përkujtimore këtë muaj që shënojnë 20 vjetorin e sulmeve nëse dokumentet nuk publikohen.

Gjatë fushatës, Biden u zotua të udhëzojë prokurorin e përgjithshëm të shqyrtojë bazueshmërinë e të gjitha rasteve që lidhen me dosjet dhe “të zbulojë më shumë në rastet në ti cilat, siç ndodh në këtë rast, ngjarjet në fjalë kanë ndodhur dy dekada ose më parë”.

“Familjet e 11 shtatorit kanë të drejtë të kërkojnë të vërtetën dhe llogaridhënien e plotë”, shkroi Biden në një letër të publikuar më 7 tetor.

Muajin e kaluar, ato familje u ankuan se “ishin përdorur si mjet negociues politik për dy dekada”, duke theksuar se, në prag të 20 vjetorit të 11 shtatorit, “durimi ynë ka skaduar”.

“Njëzet vjet pas, thjesht nuk ka asnjë arsye, pretendime të pamerituara të ‘sigurisë kombëtare’, ose ndryshe, për ta mbajtur këtë informacion të fshehtë”, NBC News citon të kenë thënë familjet.

Biden vazhdoi të shprehë ngushëllimet e tij për familjet, duke thënë se “zemra e tij vazhdon të jetë me ta”, dhe tha se “administrata e tij do të vazhdojë të angazhohet me respekt me anëtarët e këtij komuniteti”.

“Unë i mirëpres zërat dhe kuptimin e tyre teksa bëjmë një rrugë përpara”, u shpreh ai. /aa