Presidenca e Republikës së Kosovës uron dhe mbështet nominimin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Feride Rushitin për çmimin Nobel për Paqe.
Sipas njoftimit të Presidencës, organizata QKRMT është mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi nga Presidenca e Kosovës, si dhe ndër vite, ka qenë ndër partnerët kryesor në organizimin e Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
“Kjo organizatë, jo vetëm që ka kontribuar në procesin e rehabilitimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, por kanë luajtur rol kyç në ndërtimin e politikave që mbështesin përmirësimin e mirëqenies dhe statusit të kësaj kategorie në shoqërinë tonë. KRCT, përpos kontributit të dhënë në Kosovë, njihet si ndër organizatat që ndihmojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe konfliktit në shtete të ndryshme në botë, përderisa ndajnë eksperiencën e Kosovës për ndërtimin e mekanizmave mbështetës për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Presidenca ka falënderuar deputetin suedez, Magnus Jacobsson, i cili ka dorëzuar propozimin te Komiteti Nominues i çmimit Nobel për Paqe.
“Për më tepër, ai personalisht ishte pjesë e ngjarjeve që përfshinin temën për dhunën seksuale gjatë luftës dhe konfliktit, siç ishte rasti në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, thuhet mes tjerash në njoftim.