Atmosfera festive në Luginë të Preshevës, edhe përkundër pengesave nga shteti serb, nuk ka munguar ditën e sotme për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit. Në ndërtesat komunale të Bujanocit dhe Preshevës, sot, përveç flamujve shtetërorë të Serbisë dhe atyre komunalë, ka valuar edhe flamuri kuqezi.
Pasditen e sotme, siç raporton televizioni serb RTS, presidenti i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, e ka ngritur flamurin edhe para objektit të këtij këshilli.
Qytetarët shqiptarë të Luginës thonë se ata e festojnë këtë ditë bashkë me familjet e tyre, kryesisht nëpër shtëpi.
Kohë më parë, Gjykata serbe për kundërvajtje ka dënuar Nagip Arifin dhe Partinë e tij Demokratike, sikurse edhe presidentin e Këshillit Kombëtar Jonuz Musliu si përgjegjës për ngritjen e flamujve të shtetit të huaj dy vjet më parë, pa praninë e flamurit shtetëror serb.