Premtimet e mëdha të kandidatëve për kryetarë të komunave

Fushata e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale të 22 tetorit në Kosovë, e filluar ditë më parë, po përcillet me premtime nga më të ndryshmet.

Për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, kandidatët për kryetarë të komunave zotohen se do të përmirësojnë dukshëm jetën e qytetarëve.

Ata premtojnë përmirësim të shërbimeve publike, investime në infrastrukturë, arsim cilësor, hapje të vendeve të punës për të rinjtë, përmirësim të mirëqenies sociale, investime në fusha të ndryshme ekonomike e të ngjashme.

Këto premtime, nga analistët po konsiderohen si mjaft ambicioze, e për disa fusha edhe të parealizueshme.

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë se ka premtime të kandidatëve që bien ndesh me kompetencat që ata mund të kenë si kryetarë të ardhshëm.

“Kandidatët për kryetarë të komunave po japin edhe premtime që nuk mund të realizohen, jo për shkak se mungon vullneti i kryetarëve të ardhshëm, por për shkak se nuk janë në kompetenca të tyre, por janë në kompetenca të nivelit qendror”.

“Fatkeqësisht, siç ka ndodhur rëndom në Kosovë, pushteti qendror kryesisht ka bërë diferencim sa i përket investimeve dhe i ka përkrah më shumë komunat të cilat janë udhëhequr nga kryetarët që i kanë takuar partive të caktuar në koalicion. Kjo mund të pritet që edhe kësaj herë të vazhdojë e njëjta situatë”, thotë Mushkolaj.

Ndërkaq për ekspertin e çështjeve ekonomike Naim Gashi, premtimet e kryetarëve të komunave për investime krahasuar me zgjedhjet e kaluara janë më racionale.

“Tani nuk po shohim premtime megalomane se do të investohen në një komunë 70 apo 100 milionë euro siç kanë qenë në fushatën e fundit, për arsye se qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar se të gjitha ato premtime janë të pavërteta dhe mashtrime elektorale. Tani premtimet i kemi më të kapshme, çka i bënë qytetarët që të lidhen me drejtpërdrejt me ato premtime që po i japin kandidatët për të udhëhequr në katër vitet e ardhshme”, thotë Gashi.

Ndërkohë, tërheqjen e investimeve të huaj në komuna të caktuar që po premtohen nga kryetarët e komunave, Gashi i konsideron të realizueshme.

Por, siç thotë ai, për këta investitorë, pushteti lokal duhet të krijojë klimë të favorshme biznesore dhe mikpritëse.

“Investimet e huaja varen si nga niveli qendror ashtu edhe nga ai lokal. Nëse flitet se sa kanë kompetencat për të inkurajuar investitorët e jashtëm, pushteti lokal ka kompetenca edhe sa i përket taksave, edhe sa i përket krijimit të hapësirave dhe më pas edhe krijimit të një klime të favorshme dhe mirëpritëse. Ne deri më tani kemi parë të kundërtën ku komunat e Kosovës kanë qenë pengesa për ardhjen e investimeve në Kosovë dhe shpresojmë që kjo mos të vazhdojë në të ardhmen”, thotë Gashi.

Ndërkohë të pakuptimta në këtë fushatë zgjedhore për analistin Imer Mushkolaj po konsideron të jenë premtimet që po i bëjnë liderët e partive politike.

“Është e pakuptimtë në ndonjë komunë të Kosovës kur banorët përballen me probleme shumë praktike të cilat nuk kanë mundur të realizohen, të premtohet liberalizimi i vizave ose të premtohet nga lideri i një partie të caktuar subvencioni më i madh i bujqësisë ose i vreshtarisë. Në këtë situatë do të duhej që premtimet të jenë reale dhe qytetarët të kenë idenë se çfarë mund të realizohet e çfarë jo nga niveli komunal, duke harrur për një moment përkrahjen që mund të vi nga Qeveria”, thotë Mushkolaj.

Kryetari i komunës zgjidhet me mbi 50 për qind të votave nga totali i pjesëmarrësve në votim.

E nëse kjo përqindje nuk sigurohet në raundin e parë, atëherë dy kandidatët me më së shumti vota i nënshtrohen edhe garës së balotazhit.