Politikanët që janë sot në skenë, ose shumica e tyre, janë rritur nën frymën vasaliste komuniste dhe nuk kanë asnjë respekt për kornizën kushtetuese. Ata kanë mentalitet vasali ndaj të huajve dhe mentalitet arrogant ndaj popullit të tyre. Në formimin e tyre është e ngulitur bindja që ligjet janë bërë për njerëzit e thjeshtë, ndërsa ata me pushtet mund të bëjnë çfarë të duan. Për ta kushtetuta është diçka që ata mund t’ia përshtatin vullnetit të tyre personal.
Çelo HOXHA, Tiranë
Ky artikull nis me një hyrje të gjatë mbi shtetin, sovranitetin dhe kushtetutat e Shqipërisë për këto çështje përgjatë historisë, me qëllim për të bërë të mundur pse një lider shqiptar ka kurajë të deklarojë nga tribuna më e lartë ndërkombëtare politike, OKB, se ka ndërmend të ndërmarrë një iniciativë antikushtetuese, për krijimin e një shteti fetar islam të tarikatit bektashi ose, siç quhet në zhargon, Shteti i Baba Mondit, sipas emrit të kryegjyshit botëror të bektashizmit.
Shteti, në një përkufizim të përgjithshëm, është një grup njerëzish (popull) i organizuar në mënyrë politike, i cili vepron mbi një territor të caktuar. Pa njërin nga këto kushte, shteti nuk ekziston; nuk mund të ketë shtet mbi një territor bosh dhe nuk mund të ketë shtet një popull pa territor.
Shteti sovran është një entitet i aftë për të marrë vendime në përputhje me vullnetin e tij. Në disa shtete vullneti i shtetit përfaqësohet nga vullneti i një njeriu (mbret) ose i gjithë popullit. Duke iu referuar kushtetutave, në historinë e Shqipërisë përfaqësuesi i sovranitetit ka qenë, gjithmonë, populli, i cili e ka ushtruar sovranitetin e tij, të paktën sipas përkufizimit juridik kushtetues, përmes përfaqësuesve të zgjedhur.
Në historinë e Shqipërisë, 1912-2024, kanë ekzistuar katër kushtetuta. (Këtu nuk marrim parasysh dokumente plotësuese që për periudha të shkurtra kanë luajtur rolin e statutit themeltar, siç ishte statuti i Lushnjës ose paketa kushtetuese postkomuniste).
Kushtetuta e parë, Statuti Themeltar të Mbretnis Shqiptare (1928), ka qenë dokumenti juridik më i plotë sa i përket përkufizimit të shtetit dhe sovranitetit të tij. Kjo kushtetutë e sanksiononte (neni 2) pavarësinë e Shqipërisë, paprekshmërinë dhe patjetërsueshmërinë e territorit të saj, të cilat ishin, në fakt, kushte themelore për qenien e saj sovrane. Neni 1: “Shqipnija asht Mbretni (Royaume) demokratike parlamentare dhe e trashëguëshme.” Neni 2: “Shqipnija asht independente dhe e pandashme; tansija toksore e saj asht e padhunueshme dhe toka e saj e patjetërtuëshme.”
Me marrjen e pushtetit nga komunistët, shteti shqiptar kaloi në një gjendje pushtimi të përhershëm. Sovraniteti i Shqipërisë kaloi nën kontrollin e një entiteti ekstraligjor, Partia Komuniste Shqiptare (Partia e Punës e Shqipërisë, pas 1948). Nga ana formale, komunistët krijuan një shtet tradicional (në kuptimin e institucioneve), me kushtetutën si ligj themelor dhe prej saj buronin të gjitha institucionet dhe pushtetet në Shqipëri. Organi më i lartë, i cili ishte edhe përgjegjës për ushtrimin e sovranitetit të shtetit, ishte Kuvendi Popullor.
Në realitet gjërat ishin ndryshe. Kuvendi Popullor nuk ishte një institucion që vepronte bazuar në vullnetin e tij. Ai e zbatonte vullnetin e PKSH-së (PPSH). Kjo hierarki mund të ishte e lejuar nëse do të buronte nga kushtetuta, por PKSH-ja nuk ishte organ kushtetues, që do të thotë se kushtetuta nuk e sanksiononte kontrollin e saj mbi organet kushtetuese. Më 1976, kur u miratua kushtetuta e dytë e regjimit komunist, PPSH-ja u përkufizua si “forca e vetme politike e shtetit dhe e shoqërisë”. Një përkufizim kaq i përgjithshëm mendojmë se ishte i pamjaftueshëm që PPSH-ja të pretendonte përfaqësimin e sovranitetit të Shqipërisë, aq më pak ishte e mundur kjo kur ajo nuk ekzistonte e regjistruar si parti politike, në përputhje me ligjin për krijimin e partive politike në fuqi.
Komunistët ishin të obsesionuar me pushtetin. Për ta, vetëm pushteti ishte absolut, ndërsa gjithçka tjetër ishte e negociueshme. Kjo reflektohet dhe në kushtetutat e tyre.
E lëmë mënjanë faktin që komunistët e morën pushtetin në shkelje të Statutit të Mbretërisë Shqiptare, i kthyer në fuqi më 1943, dhe thjesht po fokusohemi te kushtetutat e krijuara nga regjimi komunist. Sipas kushtetutës së parë (1946, neni 1), Shqipëria ishte “Republikë Popullore, ku i gjithë pushteti buron nga populli dhe i takon popullit”, por nuk thuhej asgjë për pavarësinë e Shqipërisë dhe për tërësinë territoriale të saj. Sa i përket sovranitetit, thuhej (neni 38) se “Kuvendi Popullor mban sovranitetin e kombit dhe të shtetit dhe ushtron të gjitha të drejtat sovrane në bazë të Statutit me përjashtim të atyre të drejtave që vetë Statuti i ka lënë në kompetencën e Presidiumit të Kuvendit Popullor ose të Qeverisë.”
Në kushtetutën e dytë të regjimit komunist (1976) gjërat ndërlikohen dhe më shumë, në një përpjekje për të rregulluar kaosin juridik që ekzistonte. Sipas nenit 1 të kësaj kushtetute, Shqipëria ishte “Republikë Popullore Socialiste” dhe “”shtet i diktaturës së proletariatit”. Mirëpo, në vijim, po ky dokument, sanksiononte që Shqipëria ishte republikë parlamentare, demokratike, me Kuvendin Popullor si organi më i lartë shtetëror dhe “mbajtës i sovranitetit të popullit e të shtetit”. Pra, gjatë regjimit komunist kishte dy realitete institucionale: realiteti kushtetues, që nuk respektohej në praktikë, dhe realiteti faktik, ku partia kishte kontroll mbi të gjitha institucionet në mungesë të autoritetit juridik për një gjë të tillë.
Kushtetuta shqiptare në fuqi, e miratuar më 1998, sanksiononte se Shqipëria është (neni 2) “shtet unitar dhe i pandashëm” dhe se “pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë.”
Siç shihet deri tani, kushtetutat e regjimit komunist nuk e përmendnin fare pavarësinë e Shqipërisë, paprekshmërinë dhe pandashmërinë e territorit të saj, si kusht themelor për të qenë një vend sovran, i aftë për të marrë vendime të mëvetshme. Në fillim qëndrimi i regjimit komunist ndaj çështjes së sovranitetit mendojmë se është ndikuar nga Jugosllavia, e cila synonte bashkimin e Shqipërisë në federatën jugosllave si republikë e shtatë. Çdo përcaktim kushtetues për pavarësinë dhe paprekshmërinë e pandashmërinë e territorit do të kishte qenë një pengesë juridike serioze, e cila do të shfrytëzohej si instrument për ta penguar planin e tyre. Arsyeja e dytë është se komunistët ishin të obsesionuuar me pushtetin dhe për ta siguruar ose mbajtur atë ata mund të bënin pazar me këdo e për gjithçka. Ata nuk u shqetësuan që e vendosën shtetin shqiptar nën tutelën jugosllave (1944-1948), madje ranë dakord për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, një plan i cili nuk u zbatua për arsye rrethanore, sepse Jugosllavia u prish me Bashkimin Sovjetik dhe Stalini i imponoi vendet e Bllokut Sovjetik, përfshi Shqipërinë, të mbanin anën e Moskës. Pas prishjes me Jugosllavinë, drejtuesit komunistë e kaluan menjëherë Shqipërinë nën tutelën sovjetike, duke u sjellë si vasalë të denjë, pa dinjitet e krenari kombëtare. Kur u prishën me Bashkimin Sovjetik (1961), nuk u prishën për çështje ideologjike ose pavarësie, por për shkak se Moska tentoi ta ndryshonte udhëheqjen e regjimit shqiptar. Kur iu rrezikua pushteti, udhëheqësit shqiptarë reaguan kundër Bashkimit Sovjetik, por edhe reagimin e llogaritën mirë. Ata dolën kundër, pasi e garantuan vasalitetin e tyre ndaj Kinës, e cila u premtoi mbrojtje nga Moska dhe mbështetje ekonomike.
Politikanët që janë sot në skenë ose shumica e tyre, janë rritur nën frymën vasaliste komuniste dhe nuk kanë asnjë respekt për kornizën kushtetuese. Ata kanë mentalitet vasali ndaj të huajve dhe mentalitet arrogant ndaj popullit të tyre. Në formimin e tyre është e ngulitur bindja që ligjet janë bërë për njerëzit e thjeshtë, ndërsa ata me pushtet mund të bëjnë çfarë të duan. Për ta kushtetuta është diçka që ata mund t’ia përshtatin vullnetit të tyre personal. Është ky formim, kjo brumosje, që i mundëson një kryeministri shqiptar të deklarojë se do të shkelë kushtetutën, do të cenojë sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë, se do të prekë dhe ndajë territorin e shtetit, se do ta prishë karakterin unitar dhe të pandashëm të Shqipërisë, pavarësisht se të gjitha këto mbrohen nga kushtetuta.
Deklarata e kryeministrit shqiptar se ka vendosur ta mbështetë “transformimin e Qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”, e bërë nga podiumi i Asamblesë së Përgjithshme të të OKB, më 22 shtator 2024, është një kërcënim për rendin kushtetues në Shqipëri, një kërcënim për sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit shqiptar dhe, në terma juridikë, referuar kornizës ligjore ekzistuese, është një kërcënim real sigurinë kombëtar, që, nëse do të realizohej, do të ishte një vepër penale me rrezikshmëri të lartë: tradhti kombëtare. /revistashenja