Premier League nis të premten, edicioni pritet të jetë i zjarrtë

Që prej vitit 2017, vetëm Liverpooli në vitin 2020 e ka ndalur Manchester Cityn drejt titullit kampion.

A mund ta ndalë Pep Guardiolan dikush në këtë edicion? Ai e synon titullin e pestë në Premier League.

Arsenali e ndoqi Cityn deri në fund në edicionin e kaluar, por në fund nuk ia doli. Për “revolveristët” do të ishte titulli i parë që prej vitit 2004. Liverpooli do të ketë punë të vështirë edhe në edicionin e ri të Premier Leagues që nis të premten. “Të kuqtë” në sezonin e ri do të drejtohen nga Arne Slot, zëvendësuesi i Juergen Kloppit. Manchester Unitedi dhe Chelsea duhet të përmirësohen edhe më shumë. Pritet të shihet se a kanë bërë rivalët e Cityt transferime të duhura.
Premier League nis të premten me ndeshjen Manchester United – Fulham. Ky ballafaqim luhet nga ora 21:00.

VAR-i me përmirësime

Do të jetë edicioni i gjashtë në të cilin do të përdoret VAR-i në elitën angleze. Ka pasur shumë polemika rreth VAR-it. Kritikat nuk kanë munguar as nga lojtarët, trajnerët dhe tifozët. Prej ndryshimeve për edicionin e ri do të jetë llogaria në platformën “X”, që do t’i dedikohet VAR-it, e ku do të jepen sqarime për të gjitha ndeshjet. Teknologjia e re e pozitës jashtë loje do të përdoret për herën e parë po ashtu. Ndërkohë risi për tifozët në stadiume do të jenë përsëritjet e rasteve në ekranet e mëdhenj. Premier League ka thënë se numri i vendimeve të drejta në ndeshje është rritur në 96 për qind nga 82 sa ishte para zbatimit të VAR-it.

Gola, gola, gola

Në edicionin e kaluar në Premier League u shënuan 1246 gola. Pati mesatare prej 3.28 golave për ndeshje, ndërsa më parë nuk e kishte kaluar mesataren prej 2.85 golave për ndeshje. Numri kaq i madh i golave, siç shkruan “Associated Press”, ka ardhur si rezultat i minutave shtesë dhe intervenimeve të VAR-it. A do të ketë shumë gola edhe në edicionin 2024/2025?

Sezon i gjatë

Për dikë, ky mund të jetë edicioni më i gjatë në nivel klubesh. Manchester City e nisi sezonin duke e fituar Superkupën të shtunën, ndërsa sezoni mund të mos mbyllet për këtë skuadër deri më 13 korrik të vitit tjetër kur edhe zhvillohet Kupa e Botës për Klube në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë garë është edhe Chelsea dhe disa ekipe tjera të Premier Leagues. Pep Guardiola e ka kritikuar kalendarin e ndeshjeve dhe ka ngritur shqetësime se ka shumë ndeshje për t’u luajtur. Këtu shtohet edhe kalendari i zgjeruar i ndeshjeve të Ligës së Kampionëve.

Më shumë heqje të pikëve?

Evertoni dhe Nottingham Foresti u goditën me heqje të pikëve në edicionin e kaluar për shkak të tejkalimit të shpenzimeve financiare. Kjo ka bërë që klubet në sezonin e ri të jenë më të kujdesshme sa i përket aspektit financiar. Leicesteri, njëra prej tri skuadrave që siguruan inkuadrimin në Premier League, pati telashe me heqje të pikëve gjatë qëndrimit në elitë për herën e fundit, por a ka mësuar nga gabimi i mëparshëm?

Përshëndetjet

Pep Guardiola është duke hyrë në vitin e nëntë si trajner i Manchester Cityt dhe pritet të vendos nëse do të qëndrojë për ta kompletuar një dekadë te kjo skuadër, apo do të largohet.
Situatë e njëjtë mund të jetë edhe me Kevin De Bruyne – njësoj si me yjtë e Liverpoolit, Mohamed Salah dhe Virgil van Dijk, të cilët janë në vitin e fundit të kontratës në “Anfield”. Më pas është Evertoni që po përgatitet të luajë në sezonin e fundit në “Goodison Park”, prej vitit 1892. Evertoni do të kalojë te stadiumi i ri “Bramley Moore Dock”, që ka kushtuar 760 milionë funte angleze. /koha