Pranohet kërkesa e Kosovës, anëtarësimi në INTERPOL do të votohet në Asamblenë e Përgjithshme

Kosova e ka bërë edhe një hap të radhës për anëtarësimin e saj në INTERPOL.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it me seli në Lyon të Francës ka debatuar rreth aplikimit të Kosovës në këtë organizatë.

Sipas Pacollit, ky Komitet ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, shkruan lajmi.net.

Pas këtij vendimi, Pacolli i ka bërë thirrje Serbisë që ta thërret zërin e arsyes dhe siç thotë ai, të mos veproj me obstruksionet e saj kundër paqes dhe sigurisë.

Postimi i plotë i Pacollit pa ndërhyrje:

Gjatë ditës së sotme, Komiteti Ekzekutiv i Interpolit me seli në Lyon (Francë) debatoi rreth aplikacionit të Republikës së Kosovës dhe vendosi në favor të dërgimit të dosjës së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithëshme të Interpolit, e cila këtë vit do të mbahët në Kili.

Policia e Kosovës, u cilësua në nivelin më të lartë të profesionalizmit dhe kredibilitetit, si organizatë policore moderne dhe me standarde të avansuara.

Përbërja e Komitetit Ekzekutiv për vitin 2019 nga gjithësej 10 shtete pjesmarrëse, në debatin e sotëm, ishin vetëm tri shtete të cilat e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë dhe pothuajse të gjithë pjesmarrësit argumentuan në favor të aplikacionit të Policisë së Kosovës për të proceduar më tutje në Asamblenë e Përgjithëshme.

Prandaj, urojmë që edhe Serbia të i thërret zërit të arsyes dhe të mos veproj me obstruksionet e saj kundër paqës dhe sigurisë.

Do të ishte primitive dhe jashtë çdo logjike, pengimi dhe lobimi kundër antarësimit të Policisë së Kosovës në organizatën nderkombëtare të Interpolit, dhe në anën tjetër të flasësh për paqe dhe siguri.