Ballina Lajmet Kosovë Pranimi i aplikimit të Kosovës në KiE, përmendet Marrëveshja e Ohrit

Pranimi i aplikimit të Kosovës në KiE, përmendet Marrëveshja e Ohrit

Komiteti i Ministrave ia ka përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pranimin e aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në njoftimin e lëshuar nga Komiteti i Ministrave thuhet se për bazë i kanë marrë edhe të arriturat e Kosovës në kuadër të dialogut me Serbinë për ta pranuar aplikimin për anëtarësim.

“Duke kujtuar Marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023 dhe aneksin e saj të zbatimit, të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja të udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë, dhe rëndësinë që të gjitha palët t’i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim”.

“Këshilli i Ministrave vendosi t’i transmetojë Asamblesë Parlamentare për konsultim letrën e datës 12 maj 2022 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës (dokumenti DD(2022)200), pa cenuar shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kësaj kërkese për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.

Këshilli i Evropës, organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj.

Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.

Lidhur me këtë vendim pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla në Facebook, duke shtuar se “mbetet edhe shumë punë për t’u bërë”.

Cilët janë​ hapat e radhë​s?

Venera Kabashi, juriste në Strasburg dhe njohëse e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në një postim në Facebook tha se ajo që pritet të ndodhë tash është emërimi i dy ekspertëve nga Byroja e Asamblesë Parlamentare.

Reklama

Këta dy ekspertë do të hartojnë një raport përmbajtësor mbi Kosovën, me të cilin do të bëhet një vlerësim i “përshtatshmërisë së sistemit ligjor të Kosovës me parimet thelbësore të Këshillit të Evropës”.

Pastaj, Asambleja Parlamentare do të caktojë dy raportues nga Komiteti për Çështje Politike dhe Komiteti për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut që do t’i përgatisin raportet e tyre mbi Kosovën.

Raporti i raportuesit nga Komiteti për Çështje Politike do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare.

Pasi që të përfundohen këto analiza e raporte mbi Kosovën, ato do të dërgohen për diskutim e votim në seancë plenare të Asamblesë Parlamentare. Do të duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KE-së.

Kabashi thotë se ky është një shpjegim i thjeshtësuar i procedurës para Asamblesë Parlamentare, ngase “në mes të këtyre hapave ka edhe shumë hapa e vendime të tjera që do të merren gjatë procesit të përgatitjes së opinionit final për Kosovën”.

Exit mobile version