Pranë varrit të Pejgamberit a.s.

Me sa dashuri dhe me sa ngurrim po të afrohem, ja Resulallah!

E si të të afrohem ndryshe, kur ti je ai që, mbas Allahut xh.sh., më je qenia më e dashur, madje më e dashur se nëna për të cilën tashmë një muaj jam vyshkur nga mallëngjimi për përqafimin e saj!

Si të jem ndryshe, kur ti je ai për të cilin Krijuesi im dhe i gjithësisë më ka porositur, me fjalët: “Thuaj, nëse ju ishit (dhe jeni) ata që e donit Allahun, më pasoni mua do t’ju dojë Allahu juve dhe do t’jua falë gjynahet..” Po ashtu, Ky Krijues madhështor më ka porositur duke më thënë:”Kush i nënshtrohet Resulit, i është nënshtruar Allahut”.
E ti vetë më ke njoftuar dhe më ke porositur: “Nuk beson asnjëri nga ju, gjersa të jem më i dashur për të se Prindi i tij, djali i tij dhe se të gjithë njerëzit”; “Nuk beson askush, gjersa të jetë pasioni i tij në përputhje me atë me të cilën kam ardhur unë”.

Krejt këto dhe shumë porosi të tjera, në lidhje me dashurinë ndaj teje, po me dridhin pas çdo hapi që po të afrohem, ja Resulallah! Kjo ndjenjë dhe dridhje dashurie e ngurrimi më është përzier në shpirt, në zemër dhe në mendje, sidomos kur po të afrohem e po e di se sa kam arritur të jem në përputhje me porositë e lartpërmendura, kur po e di se sa janë muslimanët në përputhje me to?!

Me gjithë dashurinë e zjarrtë që po më shkrin gjoksin në këto momente për të t’u afruar sa më afër, prapë po më mund ngurrimi dhe turpi për veten dhe për myslimanët se në çfarë gjendje e kemi sjellë veten, edhe pse ti na le “Në Dritë të Bardhë e që nuk i shmanget kush asaj, pos atij që do të shkatërrohet”.

E si ta shpjegoj ndryshe këtë që po ndodh me Umetin, pos se jemi shmangur nga Drita në të cilën ti na le! Si ta shpjegoj këtë që po ndodh në Irak, në Siri, në Libi, në Jemen, në Egjipt, në Saudi e në Emirate?

Trilionët janë duke u harxhuar në armatimin që po përdoret për të vrarë muslimani muslimanin; që të dy Tekbirin e kanë në gjuhët e tyre, por asnjëri në Zemrën e tyre! Si t’iu përgjigjemi fëmijëve Rohengjija të Arakanit: “Bi ejji dhenbin kutilet”?!(Per cfar mekati po vriten?!)

Si të të afrohem kur për të gjitha këto do të më pyesësh?! E çfarë të përgjigjem unë i mjeri?! Si të të përgjigjem, ja Resulallah, kur po jetojmë kohën në të cilën me miliona muslimanë po vriten, qindra mija shtëpi e vendbanime të tyre po rrënohen mbi kokat e tyre dhe të fëmijëve të tyre, biliona pasuri tokësore e nëntokësore të tyre po shkatërrohen, artefakte e gjurmë historike (që u kanë shpëtuar edhe luftërave botërore) sot po rrënohen e po plaçkiten, bibliotekat, xhamitë e faltoret po rrafshohen me tokë! Edhe për këto e di se do të më pyesësh… Edhe sa tjera katrahura që i ka përjetuar ky Umet, sidomos që nga fillimi i shekullit të kaluar e qe 100 vjet?!

Megjithatë, po marr guximin e po të afrohem, ja Resulallah, pasi që përkrah gjithë kësaj kemi edhe sihariqe, kemi edhe për të të marrë myzhde dhe për të të gëzuar!

Të jap sihariqin, ja Resulallah, se me gjithë rëniet dhe katrahurat që i përjetoi dhe po i përjeton Umeti, gjeneratat e fundit, e sidomos të rinjtë dhe të rejat, në këto 30 vite të fundit, janë duke përjetuar një Rilindje Islame, e cila, ndoshta, edhe i ka tërbuar Dushmanët e Islamit dhe të Muslimanëve, ndaj edhe nuk po lënë intrigë as planifikim xhehnemite pa e përdorur kundër këtij Umeti.

Megjithatë, kjo Rini e vetëdijshme, e stolisur me Imane dhe Dije në fushat e ndryshme të jetës e me Islamin e rrugës mesatare dhe me Thirrjen Paqësore, me urtësi dhe këshilla të mira po e çan rrugën drejt së ardhmes së pandalshme, e cila është kuptuar nga kjo Rini se: Nuk përmirësohet e tashmja dhe as e ardhmja e këtij Umeti pos me atë që është përmirësuar e kaluara dhe fillimi i tij.

Kjo rini, e prirë nga bashkëmoshatarë dhe të moshuar të urtë e largpamës, dijetarë e hoxhallarë, dita-ditës po dëshmojnë se janë ajka e popujve dhe e kombeve të ndryshme brenda këtij Umeti.

Të jap sihariqin, ja Resulallah, se dita-ditës masat e gjera po e kuptojnë se nuk ka shpëtim dhe as qetësi e rehati shpirtërore dhe as materiale, pa iu kthyer Programit Hyjnor, i cili e rregullon këtë botë dhe atë botë: “Ai është Zot në qiell dhe Zot në tokë”. I lartësuar qoftë Ai, Zoti i gjithëdijshëm dhe i gjithëpushtetshëm.

Të jap sihariqin, ja Resulallah, se kjo Rini sot po i stërmbush xhamitë e Umetit tënd, pasi që ato me dekada ishin të lëna bosh nga Rinia. Kësaj Rinie, Allahu po ia zbukuron fytyrat me abdesin që e marrin dhe në të njëjtën kohë kjo Rini po e nderon Umetin edhe me indeksat e zbukuruar me 9-she e 10-she. Me abdesin dhe indeksat e tyre po ua dëshmojnë “teoricienëve” se vërtet Feja është “Opium”.

Për çdo ditë e më shumë po dëshmohet se nuk ka shpëtim (as biologjik e ekzistencial) pos me zbatimin e Programit Hyjnor, i zbritur në Kuran dhe Sunet; nuk ka rini të shëndoshë, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë psikik e moral, pos me zbatimin e këtij Programi.

Femra Muslimane dita-ditës po e kupton se nuk mund t’i shpëtojë eksploatimit fizik e moral pos me të jetuarit brenda këtij Programi e i cili i përmbush nevojat e saj në të gjitha aspektet dhe duke mos i bërë asaj asnjë padrejtësi.

Dijetarët Muslimanë, duke eksploruar në fusha të ndryshme po i dëshmojnë historisë se njerëzimi mbarë nuk ka dhe nuk do ketë qetësi, paqe e harmoni mbarënjerëzore pos me rikthimin e Rendit Islam, madje këtë po e thonë edhe shkencëtarë të ndryshëm jomuslimanë.

Vërtet, njerëzimi ka nevojë imediate për një Rend të Drejtë, i cili do të realizonte drejtësi dhe barazi ndërmjet popujve e kombeve anembanë globit.

Te jap sihariqin, ashtu si na ke pergezu ti ja Resulallah, se kjo nuk është e largët, përkundrazi Allahu me Rahmetin dhe me Fuqinë e Tij po i krijon shkaqet (edhe pse Ai, i lartmadhëruar qoftë është i Gjithëfuqishëm dhe me KUN-in e Tij kur Dëshiron krijon dhe ndryshon gjendje edhe pa shkaqe fare) që ne po i shohim për çdo ditë në rikthimin e Islamit që ta shpëtojë njerëzimin mbarë.
Esselamu Alejke, ja Resulallah.

Nga fb: Hoxhe Husamedin Abazi