Problemet e brendshme të koalicionit qeverisës për ta votuar demarkacionin kanë vënë në pah edhe mundësinë që nëse kjo çështje nuk kalon, atëherë të mendohet shkuarja në zgjedhje të parakohshme.
Madje zërat për këtë temë janë shtuar pas 1 shtatorit, ani pse qëndrimet janë të ndryshme brenda partisë më të madhe në vend, PDK-së. Për dallim nga bashkëpartiakët e tij, njëri nga njerëzit më me ndikim në këtë parti, Xhavit Haliti, thotë se Kosova në asnjë variant nuk është e gatshme për zgjedhje. Ndërsa kategorik kundër zgjedhjeve shprehet partneri i PDK-së në koalicion, Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Nuk shoh rrezik. Nëse ka zgjedhje, ka zgjedhje, por nuk e besoj se jemi të përgatitur as pozita e as opozita për zgjedhje. Unë mendoj se nuk është koha për zgjedhje dhe demarkacioni nuk është shkas përmes të cilit duhet të shkohet në zgjedhje”, ka theksuar Haliti.
Ndërkaq Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi i ka thënë RTK-së se koalcioni PDK-LDK është i qëndrueshëm, ndërsa thotë se as pozita e as opozita nuk janë të gatshme për zgjedhje.
“Nuk mendoj se ka ndonjë çarje në koalicion. Koalicioni është më të vërtetë stabil. Demarkacioni është për çështje tjera, ashtu siç i ka përmend edhe kryeministri. Nuk besoj se do të ndodhin zgjedhjet dhe nuk ka kurrfarë indikacioni se për shkak të demarkacionit do të shkohet në zgjedhje”, ka thënë Abrashi.