Në politikën ndërkombëtare, instrumenti kryesor i bashkëpunimit është forca, ndërsa parimi themelor është interesi. Shteti më i fuqishëm e dominon agjendën politike ndërkombëtare, me politika, me ushtri ose me çfarëdo lloj intsrumenti që i lyp rasti. Kjo ka ndodhur në botë që nga fillimet e saj.
Çelo HOXHA, Tiranë
Me ndryshimin e presidentit në Shtetet e Bashkauara të Amerikës, më 20 janar 2025, politika ndërkombëtare është tronditur prej agresivitetit të presidentit të ri, Donald Trump, në mandatin e tij të dytë. Ai i kërcënoi vendet fqinje të SHBA, Kanadanë dhe Meksikën, me vendosjen e tarifave për mallrat e tyre, që hynin në SHBA, nëse ato vende nuk ndalonin hyrjen e emigrantëve dhe të drogave të ndryshme (sidomos fentanyl) në SHBA. Të njëjtin kërcënim dhe për të njëjtat arsye ia bëri edhe Kinës. Trump-i nuk e kurseu askënd. Me të njëjtin agresivitet, ai iu drejtua dhe vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas Trump-it, SHBA-ja do të vendosë tarifa për mallrat europiane, sepse vendi i tij ka deficit në tregtinë me Europën. Do të thotë se eksportet e vendeve të BE-së drejt SHBA-së janë më të larta se importet nga SHBA-ja. Trump-i i kritikoi vendet e BE-së edhe për financimin e tyre të ulët për mbrojtjen e vendeve të tyre. Ai u bëri thirrje këtyre vendeve që ta rrisin buxhetin e mbrojtjes ushtarake në 5 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto, nga 2 për qind që e kanë aktualisht. Vetë SHBA-ja e ka buxhetin e mbrojtjes në nivelin 3.8 për qind.
Qëndrimi i SHBA-së së Trump-it ndaj Ukrainës, e cila gjendet në mes të një konflikti ushtarak aktiv me Rusinë, ka qenë tronditës për diplomacinë botërore, sidomos për atë europiane. Fillimisht Trump-i e akuzoi Ukrainën si fajtore për konfliktin me Rusinë, duke thënë se ajo nuk duhet ta kishte filluar kurrë konfliktin. Sipas tij, Ukraina ka pasur tre vjet në dispozicion për ta ndaluar atë. Ndërkaq, fakti është që luftën e nisi Rusia, e cila e sulmoi ushtarakisht Ukrainën dhe vazhdon t’i mbajë të pushtuara pjesët e saj. Më tej, Trump-i e sulmoi direkt presidentin e Ukrainës se është diktator, i cili – sipas tij – ka shmangur zgjedhjet elektorale dhe, për rrjedhojë, ka deligjitimuar mandatin e tij presidencial. Sipas Trump-it,, mbështetja e Zelenskit nga populli i Ukrainës ka rënë në 4 për qind.
Qëllimi i gjithë këtyre sulmeve besoj u lexua qartë nga kërkesa e Trump-it që Ukraina t’ia japë SHBA-së mineralet si një mënyrë kompesimi për harxhimet që ajo ka bërë për ta ndihmuar Ukrainën gjatë luftës. Kjo e përforcon parimin e vjetër të luftrave, ndarjen e burimeve natyrore.
Ndërkohë, SHBA-ja dhe Rusia i nisën bisedimet në Riad të Arabisë Saudite, me synimin final ndalimin e luftës Rusi-Ukrainë. Mungesa e fuqive europiane në tavolinën e bisedimeve tregon se të dyja fuqitë e “Luftës së Ftohtë” po tentojnë vendosjen e një rendi të ri botëror, ku europianët nuk janë më faktor vendimarrës.
Presidenti Trump hedh shumë shashka njëherësh, të cilat shkaktojnë kakofoni dhe është e vështirë të kuptohet se çfarë ndodh realisht. Trump ka hedhur dhe ide të ekzagjeruara, të cilat nxisin panik te ata që i marrin seriozisht, siç është bërja e Kanadasë shteti i 51-të i SHBA ose aneksimi Grenlandës nga SHBA-ja. Këto ide ekstravagante mund të jenë thënë me tone humori ose sa për provokim, por nuk janë pa bazë, sidomos në rastin e Grenlandës. SHBA-ja ka tentuar ta blejë Grenlandën pas Luftës së Dytë Botërore, mdaje flitet se bisedimet në fshehtësi janë rikthyer gjatë presidenës së parë të Trump (2019), por pa sukses. Grenlanda, prej vitit 1953, është zyrtarisht pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.
Mirëpo, Trump-i ka artikuluar dhe ide vërtet të rrezikshme, siç është zhvendosja e banorëve të Gazës nga trojet e tyre në Palestinë dhe për t’i zhvendosur diku tjetër. Artikulimi i një ideje të tillë tregon se presidenti i SHBA-së dhe ndjekësit e tij e kanë humbur (ose nuk e kanë pasur kurrë) ndjeshmërinë ndaj krimeve kundër njerëzimit, siç është gjenocidi dhe spastrimi etnik. Trumpi propozoi që SHBA-ja të vendoste nën kontrollin e saj Gazën, pasi banorët palestinezë të zhvendoseshin (kundër dëshirës së tyre) në Egjipt dhe Jordani. Sipas tij, me marrjen e Gazës nën kontrollin e saj, SHBA-ja do t’i çmontonte armët e rrezikshme të pashpërthyera në Gaza, do ta nivelonin terrenin, do t’i pastronte ndërtesat e shembura, do ta zhvillonte ekonomikisht e do të krijonte vende pune dhe strehim për banorët e zonës. Ky duket një plan monstruoz. As Hitleri, që shumë e konsiderojnë si kriminelin më të madh në histori, nuk ka artikuluar plane të tilla. Armët (bomba) e pashpërthyera që gjenden në Gaza janë hedhur nga Izraeli, ushtria e të cilit financohet nga SHBA-ja dhe një pjesë e atyre armëve mund të jenë amerikane, pasi SHBA-ja është ndër furnizuesit kryesorë të Izraelit me armë. Thuajse të gjitha ndërtesat e rrënuara në Gaza janë prishur nga ushtria e Izraelit. Masa e parë që Trump-i mund të propozonte për përmirësimin e gjendjes në Gaza është ndalimi i sulmit izraelit mbi Gaza dhe popullsinë e saj. Nëse ata njerëz do të liheshin të lirë, ata e zhvillojnë vetë ekonominë e Gazës, pa qenë nevoja të largohen prej saj. Logjika e presidentit amerikan në këtë rast është logjikë gjenocidale.
Sidoqoftë, një rend i ri duket se është në formim e sipër dhe, me sa kemi parë deri tani, nuk ka ndonjë gjë të re në thelbin e tij. Ndryshimi më i madh i rendit të ri me rendin e vjetër është fakti që shtetet europiane, dikur fuqi të mëdha, nuk do të jenë pjesë e tryezave ku do të bëhen pazaret. Në thelb asgjë nuk ndryshon – politika ndërkombëtare do të sundohet nga fuqia dhe interesi.
Presidenti amerikan nuk ka sjellë ndonjë gjë të re në skenë, përveç faktit që sjellja e tij jodiplomatike nxjerr në pah atë çfarë mundohet ta mbulojë diplomacia – në politikën ndërkombëtare instrumenti kryesor i bashkëpunimit është forca, ndërsa parimi themelor është interesi. Shteti më i fuqishëm e dominon agjendën politike ndërkombëtare, me politika, me ushtri ose me çfarëdo lloj intsrumenti që e kërkon rasti. Kjo ka ndodhur në botë që nga fillimet e saj.
Hapi i parë drejt rendit të ri botëror u hodh me takimin ruso-amerikan në Riad të Arabisë Saudite, i cili u mbajt me synim që palët të punojnë së bashku për t’i dhunë fund luftës në Ukrainë dhe vendosjen e marrëdhënieve normale mes dy vendeve. Ky rend botëror e nxori nga skena Britaninë e Madhe si fuqi botërore. Rendi i ri botëror, që u vendos pas Luftës së Dytë Botërore, i kishte tri palë në bisedimet e Postdamit dhe Jaltës: SHBA, Britani e Madhe, dhe Bashkimi Sovjetik. Tetëdhjetë vjet më vonë, Britania ka dalë nga skena. Defaktorizimi i Britanisë dhe fuqive europiane të tjera është dëshmi e rënies së kontintetit që e ka dominuar botën në 200 vitet e fundit, me forcë dhe arrogancë. Ashtu si SHBA-ja e përjashtoi Ukrainën nga bisedimet e Riadit, ndërkohë që objekti i atyre bisedimeve është Ukraina, ashtu fuqitë e dikurshme europiane (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Rusia, Austro-Hungaria) kanë përjashtuar nga tryeza e bisedimeve shtete dhe popuj të ndryshëm ku diskutohej fati i tyre. Shqipëria dhe shqiptarët janë dëmtuar rëndë nga fuqia dhe arroganca e fuqive europiane. Ato nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e tryezës së bisedimeve ku diskutohej fati i tyre, as në Kongresin e Berlinit (1878), as në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), as në marrëveshjen e fshehtë të Londrës (1915), as në Postdam e Jaltë (1945).
Për shqiptarët, në thelb, nuk ka ndodhur asgjë. Ata jetojnë e do të vazhdojnë të jetojnë në një rend po aq të rrezikshëm sa edhe më parë. Pretendimet arrogante të presidentit amerikan ndaj territoreve të tjera nuk janë gjë e re, as plani për zhvendosjen e popullsisë së Gazës. Konfliktet e sotme në Lindjen e Mesme e kanë origjinën te ndarja arbitrare që britanikët ia imponuan atij territori. Ndoshta akti më ekstrem i arrogancës europiane është sjellja e Britanisë ndaj Palestinës, e cila, me deklaratën Balfour (1917), u dha të drejtën zionistëve të themelonin një shtet hebre (Izraelin) në territorin e Palestinës, ndërkohë që Palestina i përkiste Perandorisë Osmane. Kjo deklaratë është zanafilla e gjenocidit 80-vjeçar të zionistëve në Palestinë (Gaza dhe Bregu Perëndimor).
Në rendin e ri botëror shqiptarët e kanë të përcaktuar me detyrim pozicionin e tyre kundër Rusisë. Historikisht, shqiptarët kanë qenë pengesa për përmbushjen e ëndërrës sllave për të zaptuar bregun lindor të Adriatikut dhe Jonit. Me dy shtete shqiptare tashmë, qeveritë respektive duhet të punojnë drejt koordinimit të planeve për mbrojtje ushtarake, të paktën prej sulmeve të vendeve fqinje, sepse ata nuk janë më të fuqishëm. Në konflikte ndërkombëtare, ku përplasen interesa fuqish të mëdha, shtetet shqiptare është e mira të mos ngatërrohen. Qëndrimi neutral është më i këshillueshmi. /revistashenja