Pothuajse në gjysmë të Ramazanit

Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili e bëri agjërimin mburojë dhe një mjet drejt devotshmërisë dhe Xhenetit. Paqja dhe bekimet qofshin mbi të dashurin dhe të dërguarin tonë, Muhamedin, robin dhe të dërguarin e Tij, thirrësin drejt fesë më të mirë dhe sunetit më të drejtë. Paqja dhe bekimi qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij.

Ja ku anija e të devotshmëve po lundron mes dallgëve të mëdha të sprovave të kësaj bote, prandaj shpejto të hipësh në të përpara se të të përpijnë rrethanat e jetës.

Vëllezër dhe motra, tashmë pjesa e parë e Ramazanit ka kaluar, gjysma e tij është shkuar, dhe shpejt hëna e tij do të plotësohet. Prandaj, përfitoni nga kjo mundësi që kalon si retë në qiell! Vazhdoni të jeni të përkështuar në adhurim para se të mbyllet dera, shtoni përpjekjet tuaja në adhurim para se të mbarojë dhe shpejtoni në pendim para se të përfundojë!

Ky është Ramazani, o ju të cilët e keni pritur Ramazanin! Sa i mrekullueshëm është ai! Sa të mahnitshme janë ditët e tij! Sa të çmuara janë orët e tij!

Dielli lind dhe perëndon, orët e tij kalojnë, koha e tij shpejt mbaron, dhe ditët e tij janë të kërkuara nga ata që synojnë shpëtimin.

O Allah! Ramazani është afër gjysmës. I shpëtuar është ai që u mbështet në litarin e Zotit dhe e shfrytëzoi Ramazanin ashtu siç duhet.

Stacione reflektimi për të përfituar nga Ramazani para se të largohet

Të nderuar besimtarë! Në mënyrë që të përfitojmë sa më shumë edhe nga këto ditë që na kanë ngelur nga Ramazani, përpara jush do të prezantoj disa stacione reflektimi

Stacioni i parë: Që të mos biem në përtaci gjatë Ramazanit

Po, është e vërejtur se njerëzit zakonisht janë energjikë në adhurim gjatë ditëve të para të Ramazanit, por pas disa ditësh, ai bëhet monoton për shumë prej tyre. Kjo është natyra e shpirtit: i paduruar, i mërzitshëm dhe dembel.

Prandaj, më poshtë po tregojmë disa mënyra dhe metoda për të kuruar këtë sëmundje:

1 – Kujdesu për nijetin tënd gjatë agjërimit!

Ti agjëron, stomaku yt ndien uri dhe buzët e tua thahen për hir të Allahut, si përgjigje dhe bindje ndaj urdhrit të Tij.

Kujto shpërblimin madhështor! Kush e kujton shpërblimin e mëngjesit, i lehtësohet nata e përpjekjes. Shpërblimi yt është: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, i falen mëkatet e mëparshme.”[1] Ky shpërblim është për të gjithë muajin, jo vetëm për fillimin ose fundin e tij.

Kujto se dera e “Rejjanit” në Xhenet të pret! A nuk do ta pëlqeje të hyje nga ajo derë? Allahu na bëftë prej atyre që do të garojnë për të hyrë nga ajo derë! I dashuri ynë (a.s) për derën e Xhenetitka thënë:

“Gjerësia e saj është sa udhëtimi i dyzet viteve, dhe do të vijë një ditë kur do të jetë e mbushur plot nga turma.”[2]

Nëse ndien dobësi për të falur namazin e natës apo të duket i rëndë, kujto fjalët e Profetit (a.s)

“Allahu çliron njerëz nga zjarri i Xhehenemit në çdo natë të Ramazanit.”[3] Prandaj, tregoji Allahut përkushtimin tënd në namaz nate! Ndoshta do të jesh ti ai që do të lirohet nga zjarri sonte ose natën që vjen!

2 – Kryej adhurime sa më të larmishme gjatë këtij muaji!

Agjëro, fale namazin e natës, lexo Kur’an, ushqe të varfrit, bëj bamirësi, bëj mirësi, mbaj lidhjet me të afërmit – ka shumë dyer të mira që mund t’i hapësh.

3 – Kërkoji llogari vetes për ditët dhe netët që kanë kaluar!

Vlerëso gjendjen tënde në këto orë të çmuara dhe shiko çfarë ke bërë gjatë ditëve të kaluara. A i ke shfrytëzuar ato ashtu siç duhet?

4 – Kujto se kur Ramazani të largohet, nuk do të kthehet vetëm se pas 11 muajsh!

A do të jesh ende gjallë vitin tjetër për ta arritur përsëri? A do të jesh i shëndetshëm apo i sëmurë? Vetëm Allahu e di. Mundësia është tani para teje, mos e humb!

Stacioni i dytë: Zoti yt kërkon prej teje një hua

Po, Ai të kërkon hua edhe pse është i Pasur dhe nuk ka nevojë për ty. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush do t’i japë Allahut një hua të mirë që Ai t’ia shumëfishojë atë shumëfish? Allahu e ngushton dhe e zgjeron (furnizimin) dhe tek Ai do të ktheheni.”[4]

Bujaria në Ditën e Kijametit, në Atë Ditë që është shumë e vështirë do të jetë hije për njeriun bujar! I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Çdo njeri do të jetë nën hijen e sadakasë së tij në Ditën e Kijametit, derisa të jepet gjykimi mes njerëzve.”[5]

Kjo është një dhuratë nga Allahu për ty, që të shohë se çfarë do të bësh me të: Allahu të ka dhënë, prandaj jep nga ajo që Ai të ka dhuruar! “Pasuria është një amanet kalimtar, ndërsa jeta është një udhëtim që përfundon.”

Të parët e këtij umeti e kuptuan këtë të vërtetë dhe e zbatuan me sinqeritet e besim.

Shikoni nënën e besimtarëve, Aishen (r.a): Ibn Zubejri (r.a) i dërgon asaj 180,000 dirhemë. Ajo i ndan të gjithë në një ditë, duke qenë vetë agjëruese, dhe harron të lërë diçka për vete që të çelë agjërimin!

Transmetohet se Enes ibn Sirin (r. h) ushqente 500 njerëz çdo natë të Ramazanit.

O ju njerëz të bujarisë! Ky është muaji i bujarisë. Kujdesu për një jetim! Hap një pus! Ushqe një agjërues! Jepi të haj një të urituri! Vish një të zhveshur! Kërko të gjesh një të varfër!

Mos u privo nga kjo mirësi ndërkohë që ke mundësi! Allahu i Lartësuar thotë: “Ja, ju jeni ata që ftoheni të shpenzoni në rrugën e Allahut, por disa prej jush janë koprracë. Dhe kush është koprrac, ai vetëm kundër vetes së tij është koprrac. Allahu është i Pasur, ndërsa ju jeni të varfër.”[6]

Stacioni i tretë: Një orë pranimi e lutjes e humbur

Po, për Zotin, është një orë e humbur për shumë njerëz. Fjala është për orën e syfyrit, kur Allahu i thërret robërit e Tij: “A ka ndonjë që kërkon, që t’i jap? A ka ndonjë që lutet, që t’i përgjigjem? A ka ndonjë që kërkon falje, që ta fal?”

Kjo është ora e istigfarit (kërkimit të faljes), për të cilën Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ata që kërkojnë falje në orët e syfyrit.”[7]

Shumë njerëz e privojnë veten nga kjo mirësi, madje edhe në Ramazan! Dhuntitë e Allahut shpërndahen, por ai është në gjumë të thellë… Ose duke qëndruar zgjuar në gjëra të ndaluara… Ose duke humbur kohën në gjëra të pavlera… Syfyri është një sunet që disa njerëz e kanë lënë pas dore.

Disa madje e hanë atë shumë herët, disa orë para agimit, dhe e quajnë syfyr, por në të vërtetë nuk është i tillë.

Suneti i të Dërguarit të Allahut (a.s) është që syfyri të hahet pak kohë para ezanit të sabahut.

Ai (a.s) na ka porositur të mos e lëmë pas dore këtë vakt, duke thënë: “Vërtet, Allahu dhe engjëjt e Tij luten për ata që hanë syfyr.”[8]

Stacioni i katërt: Ruaju nga hajdutët e Ramazanit!

Sa të shëmtuar dhe sa kriminelë janë! Ata janë hajdutët e Ramazanit. Zemrat e tyre janë të mbushura me inat dhe urrejtje kur shohin karvanet e pendimtarëve në këtë muaj të bekuar. Prandaj, ata hedhin në sulm të gjitha mjetet e tyre – përmes kanaleve televizive, me programe të mbushura me harame, sprova dhe epshe, të cilat të shtyjnë drejt mëkatit dhe të thërrasin në shthurje.

Po, ata ua kanë vjedhur shumë agjëruesve dhe adhuruesve shijen e vërtetë të Ramazanit, kënaqësinë e tij, dhe shpërblimet që sjell ky muaj. Por fajin më të madh e ka ai që i lejon këta hajdutë t’ia vjedhin Ramazanin!

Prandaj, detyra jonë është të ikim prej tyre dhe të ruhemi nga sprovat e tyre. Në këto ndalesa, të solla sihariqe dhe këshilla për të qëndruar i palëkundur. Lus Allahun të më japë mua dhe ty kujtesë të fortë, përfitim nga këshillat dhe Xhenetin si vendbanim të përhershëm!

Imam – hatib: Fajsal Esh Sheddi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Buhariu dhe Muslimi.

[2] – Ahmedi dhe Ibn Hibani. Hadithi është Sahih.

[3] – Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh. Hadithi është Sahih.

[4] – Sure Bekare: 245.

[5] – Ibn Huzejme dhe Ibn Hibani. Hadithi është Sahih.

[6] – Sure Muhamed: 38.

[7] – Sure Ali Imran: 17.

[8] – Ibn Hibani. Hadithi është Sahih.