Postimet më pikante në Twitter të presidentit amerikan, Donald Trump, kanë dalë tashmë në shitje në internet, të stampuara aty ku nuk iu shkon mendja: te letrat higjienike të tualeteve!
Kostoja, siç lexohet në faqen zyrtare të kompanisë që i prodhon ato (Toilet Tweets) varion nga 12 euro për pakot teke, deri në 18 euro për ato dyshe.
Në versionin e bobinave teke të letrave higjienike, në përshkrimin e produktit shpjegohet se rrota përbëhet nga një “shtresë e dyfishtë ku janë shtypur 10 postimet më klasike të Trumpit në Twitter, në periudhën përpara se të zgjidhej president, që u panë si më të përshtatshmet për këdo”.
Ndërkohë, në përshkrimin e bobinave dyshe shpjegohet se “gjenden 10 postimet më të mira të përzgjedhura mes muajve mars-qershor të vitit 2017”.