Postenverizmi, serbizmi dhe neokololializmi në kryqëzatë kundër shqiptarërisë

Prof. Milazim Krasniqi

Me gjithë përpjekjet abonormale që po bëjnë islamofobët e çartur, rezultatin e kanë tërësisht dëshpërues për ta. Islami ka rrënjë të thella në identitetin tonë kombëtar dhe ato rrënjë nuk mund t’i shkulë askush. Shqiptarërinë (term i Sami Frashërit) nuk mund ta mposhtin armiqtë e saj edhe kur bëhen të gjithë bashkë.

Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Urrejtja e disa grupeve islamofobe ndaj fesë islame ndër shqiptarë e ka burimin te tre burime ideologjike: te deformimi mendor e besimor që ka lënë prapa enverizmi (stalinizmi), te strategjia e Serbisë për t’i çrrënjosur shqiptarët me etiketat e “rrezikut islamik për Europën kristiane” dhe te platformat neokolonialiste të disa qarqeve klero-fashiste në Perëndim. Brenda këtij trekëndëshi famëkeq është edhe fushata më e re kundër fesë islame në Kosovë.

Iniciativa në thelb është postenveriste dhe antieuropiane

Kjo iniciativa e tashme e atyre që u vetëquajtën jo rastësisht si “Grupi i Deçanit” (për të treguar afërsi shpirtërore me manastirin e Deçanit?) e ka njëfarë vazhdimësie me ato praktika enveriste, por me një ndryshim: tash në rastin e Kosovës propagandohet dalja nga feja islame, në favor të krishterimit roman, e jo ndalimi i të gjitha besimeve fetare. Prejardhja ideologjike enveriste-staliniste e disa prej eksponentëve të atij grupi nuk është pa rëndësi për ta kuptuar motivin e tyre. Në esencë ata janë enveristë (më saktë postenveristë), njerëz pa etikë, pa respekt për diversitetin dhe vlerat kombëtare, pa orientim të qartë në kohë dhe në hapësirë, pa dituri elementare mbi besimet fetare dhe ndikimet e tyre në formimin e kombit shqiptar.

Absurditet më vete paraqet fakti se këta fanatikë të çartur po kërkojnë krishterizimin e shqiptarëve të Kosovës, gjoja në emër të vlerave europiane, kristiane, ndërsa realiteti në Europë është se ka së paku dy shekuj që vetë Europa është sekulare. Rrymat e mëdha filozofike, kulturore, artistike e ideologjike, si Iluminizmi, Romantizmi, Modernizmi, Liberalizmi, Posmodernizmi, Globalizmi, nuk kanë lidhje doktrinare me krishterimin. Në fakt janë opozicion e diskontinuitet me Krishterimin, kanë lindur si produkte të shkëputjes nga dogma kristiane. I vetmi shtet kristian në Europë është Vatikani. Pra, nëse këta stalinistë të fantaksur po duan të futen nën ombrellen e Vatikanit, kjo është një iniciativë kryqtare, e jo vlerë e sotme europiane. Europa e sotme e ka pranuar bashkëjetesën paqësore të kombeve e besimeve fetare të ndryshme. Bile edhe Vatikani, në kohën e papës Gjon Palit II e ka pranuar Islamin si fe monoteiste dhe e ka proklamuar bashkëjetesën paqesore me Islamin. Prandaj këta kryqtarë të vonuar nuk kanë asnjë mbështetje në realitetin fetar, filozofik, shoqëror, kulturor, ideologjik të sotëm europian. (Përveç te rrymat islamofobike e klero-fashiste.) T’ia faturosh Europës së sotme se ka projekt për krishterizimin e popujve, kjo është fyerje për vlerat e tashme të qytetërimit të saj.

Iniciativa në thelb është antikombëtare

Ky grup injorant po kërkon largimin nga feja islame, gjoja edhe në emër të identitetit kombëtar, në emër të kombit shqiptar. Kjo gjë zbulon jo vetëm injorancën e paditurinë e tyre, po edhe pafytyrësinë e tyre të papërshkrueshme. Të gjitha faktet e njohura e të verifikuara në rrjedhë të shekujve XIX e XX dëshmojnë se shqiptarët muslimanë, si shumica absolute e etnisë shqiptare, kanë luajtur rolin vendimtar në formimin e kombit tonë shqiptar. Ideologët kryesorë të Rilindjes Kombëtare, organizatorët e Lidhjes së Prizrenit, themeluesit e shtetit shqiptar, bartësit e rezitencës iredentiste në Kosovë e në viset e tjera dhe deri te lufta çlirimtare në Kosovë (1998-1999) në Luginën e Preshevës (2000) e në Maqedoninë e Veriut (2001), kanë qenë shqiptarë të besimit islam. Natyrisht, lëvizja kombëtare dhe ngjarjet kombëtare kanë qenë të përbashkëta, por shumica absolute kanë qenë të kësaj provinience, gjë që është e vetëkuptueshme. Thënë thjesht, pa kontributin vendimtar të shqiptarëve të besimit islam kurrë nuk do të mund të formohej një komb shqiptar dhe as shtet shqiptar. Shqiptarët ortodoksë, pa atë unitet brendakombëtar me muslimanët e katolikët, do t’i ekspozoheshin zhdukjes fizike ose asimilimit nga Greqia. Ndërkaq shqiptarët katolikë do t’i ekspozoheshin zhdukjes, projektit asmilues malazes ose arratisë. Pra, aleanca e fortë brendakombëtare mundësoi formimin e këtij kombi dhe formimin e shtetit shqiptar. Mjafton të lexohet libri i Natali Klejerit, “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”, për ta kuptuar rolin e të gjitha grupeve fetare, që nga grupi më i vogël, protestantët shqiptarë, pastaj bektashinjtë, ortodoksët, katolikët, e deri te roli vendimtar i muslimanëve suni. Historia nuk mund të ndryshohet, aq me pak mund të deformohet e ardhmja nga disa renegatë të ndytë, që nuk kanë asnjë respekt për vlerat e mirëfillta kombëtare. Për këta renegatë po e kujtoj këtë shembull (jo për të tjerët sepse të tjerët e dinë): Hoxha Tahsini e Sami Frashëri ishin ideologët e kombformimit, Abdyl Frashëri e Ymer Prizreni ishin krerët e Lidhjes së Prizrenit, Vehbi Dibra e Ismail Qemali ishin legjitimuesit e proklamuesit kryesorë të shtetit shqiptar. Pra, në themelet e kombformimit dhe të shteti shqiptar janë kontributet e personaliteteve që kanë qenë pjesëtarë të fesë islame. Duke qenë muslimanë, ata kanë qenë pa asnjë pengesë iluministë në idetë e kombformimit dhe modernistë në idetë e shtetndërtimit. Pyetja për këta injorantë të pahajr është: nëse ia hiqni kombit shqiptar e shtetit shqiptar themelet, ku do t’i kacavarni kombin e shtetin?! Në historinë e manastirit të Deçanit a?

Iniciativa në themel është proserbe

Nëse këta kryqtarë të vonuar po vajtojnë për kombin shqiptar, çka nënkupton ndarja prej tyre e Kosovës nga Shqipëria, si laborator për eksperimente kryqtare? Pse nuk e kanë shtrirë iniciativën në të gjitha trojet shqiptare, po vetëm në Kosovë, ku pretendimet religjoze serbe janë me rrezikshmëri të lartë? Sikundër dihet, Serbia në pretendimet e saj të hershme e të sotme e ka si vulë etiketën e “rrezikut islamik” nga shqiptarët e Kosovës dhe mundohet ta paraqesë konfliktin për Kosovën si konflikt ndërmjet kryqit e gjysmëhënës. Dihet poashtu se Serbia që nga Kongresi i Berlinit ia ka ngarkuar vetes si mision çrrënosjen e muslimanëve nga Ballkani, shqiptarëve në rend të parë. Ata që nuk ka arritur t’i dëbojë, ka tentuar t’i konvertojë me dhunë në ortodoksi. Në rrokullimë e luftërave ballkanike është tentuar konvertimi i shqiptarëve në ortodoksinë serbe, me ç’rast nuk janë kursyer as kotolikët shqiptarë të rajonit të Gjakovës, sigurisht nën frymën e Zakonikut të car Dushanit, i cili katolikët i trajtonte si heretikë e jo të krishterë. Dihet gjithsesi se Savë Batarja dhe grupi terrorist i tij kanë mbetur në kujtesën shqiptare si kriminelët më të egër për terrorin dhe dhunën që kanë zbatuar për konvertimin e dhunshëm të shqiptarëve në atë periudhë tragjike. Qoftë dhe vetëm për shkak të asaj traume të tmerrshme nga konvertimi me dhunë nga ana e malazezve e serbëve, iniciativa për konvertim nuk do të duhej të niseshin kurrë në mesin e shqiptarëve. Por, me gjasë, ka diçka edhe më të hidhur në këtë iniciativë – ky grup jo rastësisht e ka quajtur veten “Grupi i Deçanit”. Ka gjasa që kanë synuar ta ndërlidhin kauzën e tyre me manastirin e Deçanit, i cili paraqet pikë të fortë për kauzën serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Manastiri i Deçanit edhe sot ka status të veçantë si monument fetar serb (mbrohet nga UNESKO, si momument fetar serb) dhe, madje, mbrohet edhe me armë të gjata nga KFOR-i. Ndërkaq, njëri nga eksponentët më primitivë të “Grupit të Deçanit”, njëfarë Muhamet Shabani (e ka bërë emrin Belizar!) me vite ka vluar si qulli se si gjoja manastiri i Deçanit është manastir shqiptar dhe se ai është pjesë e identitetit shqiptar. Përkundër që dihen faktet historike se kur e kush e ka ndërtuar manastirit e Deçanit, tipat e tillë të ndërkryer e kanë fiksim patologjik idenë që të thonë se është tempull fetar shqiptar. Nëse manastiri i Deçanit është manastir shqiptar, atëherë i bie që ai i bashkon shqiptarët e serbët në një vëllazëri fetare! Si duket kjo është mënyra e këtij grupi të çoroditur, për t’u afruar me Kishën Ortodokse Serbe. Thënë thjesht, e mbrojnë kauzën e përbashkët të mbrojtjes së krishterimit nga dhunuesit shqiptarë muslimanë. Ndërsa e vërteta e pakontestueshme është se nëse hiqet përkatësia islame e shumicë shqiptare nga ekuacioni, mbetet dominuese ortodoksia serbe, sepse numri i vogël i katolikëve nuk mund të jetë konkurrues me ta. Me kurrfarë iniciativash islamofobike për konvertim, numri i katolikëve nuk mund të rritet në mënyrë substanciale, që t’u konkurojë serbëve për pronësi mbi Kosovën. Askush me mend në kokë nuk duhet të presë konvertim masiv të shqiptarëve muslimanë. Po ashtu historia e katolicizmit në Kosovë është modeste, sepse që nga ndarja e kishave në vitin 1054, këto hapësira kanë qenë nën administrimin fetar ortodoks, nga Bizanti, nga Bullgaria dhe nga Serbia mesjetare. Bile kalimi masiv në Islam i shqiptarëve ka qenë saktësisht si ikje nga projektet asimiluese të Kishës Ortodokse, sidomos të asaj serbe, e cila e pati fituar autonominë në vitin 1219 dhe e cila edhe me zakonikun e car Dushanit e proklamoi serbizimin e të gjithë atyre që nuk ishin ortodoksë, heretikëve dhe bogumilëve.

A e kanë para sysh kjo skotë kryqtarësh të vonuar këtë histori të rëndë? A e kanë para sysh se edhe sot etiketimet më të mëdha të Serbisë kundër Kosovës bëhen pikërisht në këtë linjë, pra duke e paraqitur Kosovën si “rrezik islamik për Europën?” Edhe nëse motivet nuk i kanë plotësisht të njëjta me Serbinë, rezultati u del i njëjtë: denoncimi i shumicës absolute të shqiptarëve të Kosovë si të pabesë ndaj Europës.

Iniciativa është antikulturore e edhe antifetare

Nuk është aspak e qartë se ku po e shohin këta mashtrues diskontinuitetin e shqiptarëve të Kosovës me Europën. Identiteti kombëtar dhe kultura kombëtare shqiptare në Kosovë është pjesë përbërëse e identitetit kombëtar dhe e kulturës kombëtare shqiptare. Gjuha standarde shqipe është zyrtare në Kosovë si edhe në Shqipëri. Letërsia shqipe mësohet në tërë historinë dhe në të gjitha segmente dhe vlerave të saj. Bile mësohen si letërsi edhe autorë e vepra që nuk janë fare letërsi, që nga “Meshari” i Buzukut, “Doktrina kristiane” e Pjetër Budit, “Çeta e profetëve” e Bogdanit, pikërisht për ta mbajtur të fortë atë identitet kombëtar të përbashkët. Gjergj Kastrioti – Skenderbeu është figura qendrore në perceptimet kombëtare shqiptare edhe në Kosovë, me shtatoren monumentale mu në qendër të kryeqytetit të Kosovës. Katedralja “Nëna Tereze”, e ndërtuar pas çlirimit në qendër të Prishtinës, është bërë pjesë e identitetit metropolitian të shtetit tonë të ri. Dhe, ssnjë subjekt fetar islam nuk është deklaruar kundër këtyre vlerave. Pra, pse imagjinohet problem i paqenë? Identiteti kombëtar shqiptar dhe kultura shqiptare vazhdon të mbetet unike, integrale me mundësi ende të pashfrytëzuara sa duhet që kombi shqiptar të shndërrohet në një komb edhe më të fuqishëm në hapësirat gjeokulturore e gjeopolitike atlantike.

Ajo që do të duhej të na shqetësonte të gjithë shqiptarëve (me gjasë, kjo vërtet nuk vlen për “Grupin e Deçanit”) është rreziku nga presionet neokolonialiste, po edhe atyre globaliste mbi identitetin tonë kombëtar dhe mbi kulturën tonë kombëtare. Këto presione janë evidente sidomos në Kosovë, meqë Kosova ende është shtet i papërfunduar dhe ku pretendimet e Serbisë ende janë shumë kërcënuese. Pse ky grup nuk i ka shqetësim tendencat e tilla, nëse e kanë preokupim kombin shqiptar? Nuk e kanë preokupim për një arsye të vetme: me konceptin e tyre ata vetë janë pjesë e atij projekti neokolonialist, i cili synon ta dobësojë shqiptarizmin në Kosovë, për ta arsyetuar rikthimin e ndikimit të Serbisë në Kosovë. Kjo është e qartë. Argat të atij projekti janë. Pra, këta mercenarë janë vendosur në hapësirën ndërmjet projekteve religjoze serbe dhe projekteve neokolonialiste islamofobike të disa qarqeve të huaja klero-fashiste. Në shërbim të verbër të tyre. Thënë më së qarti: iniciativa e tyre është në shërbim të diversionit ndaj identitetit kombëtar shqiptar. Nuk ka motive mirëfilli fetare. Po t’i kishte motivet mirëfilli fetare, ata do të kryenin ato procedura të pagëzimit në mënyrë private, për veten e tyre e nuk do të tentonin t’i shndërronin në presion e terror psikologjik ndaj të tjerëve.

Formula e përjetshme

Megjithë përpjekjet abnormale që po bëjnë islamofobët e çartur, rezultatin e kanë tërësisht dëshpërues për ta. Islami ka rrënjë të thella në identitetin tonë kombëtar dhe ato rrënjë nuk mund t’i shkulë askush. Shqiptarërinë (term i Sami Frashërit) nuk mund ta mposhtin armiqtë e saj edhe kur bëhen të gjithë bashkë. Me këtë formulë që e aplikuan me sukses rilindasit tanë të mençëm, ajo është e përjetshme. Kushdo që tenton ta ndryshojë këtë formulë, bëhet armik i shqiptarërisë. /revistashenja