Autoritetet portugeze i kanë ndaluar anijet turistike që t’u afrohen balenave “vrasëse”, pas një sërë incidentesh në vitet e fundit në brigjet e Portugalisë dhe Spanjës.
Instituti për Ruajtjen e Natyrës dhe Pylltarisë (ICNF) tha se ndalimi, i cili kryesisht vlen për anijet e vëzhgimit të balenave, do të jetë në fuqi deri në fund të vitit, raporton Reuters.
ICNF shtoi se varkat duhet të largohen nëse dallojnë këto lloj balenash. Nëse ata tashmë janë shumë afër tyre, atëherë anijet duhet të ndalojnë derisa balenat të largohet.
Që nga viti 2020, ka pasur një sërë incidentesh që balenat “vrasëse” godasin varkat, duke shkaktuar dëme që, në disa raste, çuan në fundosjen e tyre.
Në shënjestër u vunë edhe anije më të vogla turistike detare që kanë licencë për të vëzhguar balenat dhe arsyeja nuk dihet, tha instituti portugez.
Balenat e rritura mund të jenë deri në nëntë metra të gjata dhe të peshojnë më shumë se gjashtë tonë.
Edhe pse të njohura si balena “vrasëse”, ato janë pjesë e familjes së delfinëve dhe më së shpeshti ushqehen me peshq, pinguinë dhe foka.