Kancelarja gjermane Angela Merkel ka ftuar qytetarët e Maqedonisë që më 30 shtator të dalin në referendum dhe të votojnë për të ardhmen euroatlantike të vendit.
Këtë porosi Merkel e ka dhënë në Shkup pas takimit me kryeministrin, Zoran Zaev, duke i dhënë mbështetje marrëveshjes që ka arritur ai me Greqinë për çështjen e emrit, e nga zbatimi i së cilës varet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
“Nga përvoja ime mund të them se ky është një shans historik, që nuk vjen çdo ditë. Është shans historik për këtë gjeneratë, andaj shikuar nga këndvështrimi im, në këtë ditë historike, mos rrini në shtëpi. Shfrytëzoni mundësinë demokratike të thoni atë që mendoni për të ardhmen e shtetit tuaj”, ka deklaruar Merkel, duke falënderuar kryeministrin Zaev, por edhe kryeministrat e Greqisë dhe Bullgarisë për siç ka thënë, guximin e treguar për të kapërcyer të gjitha dallimet që kanë ekzistuar në të kaluarën dhe duke e bërë 30 shtatorin është një ditë shumë e rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë.Vizitën e kancelares gjermane Angela Merkel, kryeministri Zoran Zaev e ka quajtur historike, ndërsa mbështetjen e saj si nga më të rëndësishme për procesin nëpër të cilin po kalon Maqedonia.“Unë jam shumë falënderues dhe shumë i lumtur që kemi aleat më të cilët po ndajmë vlerat e njëjta. Gjermania është një nga mbështetëset më të mëdha të aspiratave tona që të bëhemi anëtare me të drejta të barabarta, të familjeve më të fuqishme dhe më të sigurta në botë, anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Kjo mbështetje ka shumë rëndësi për ne, ajo paraqet motiv shtesë për ndërtimin e një shteti prosperues, që për bazë do të ketë vlerat e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.E pyetur lidhur me mesazhet e fundit të zyrtarëve ndërkombëtarë lidhur me atë vendi mund të izolohet nëse nuk do të ketë sukses referendumi, përkundër faktit siç ka pyetur gazetarja, një pjesë e madhe e qytetarëve mbështesin integrimin por jo edhe ndërrimin e emrit të shtetit, kancelarja gjermane tha se porositë e tilla nuk duhet kuptuar si kërcënime, por se ato janë reale, meqë pa zgjidhjen e kontestit me Greqinë, nuk mund të arrihet as NATO-ja e as Bashkimi Evropian.“Unë nuk jam këtu për kërcënime. Ju si qytetar të këtij vendi mundeni dhe duhet të vendosni për të ardhmen e vendit tuaj. E ardhmja mund të ndodhë nëse referendumi do të ketë sukses, të bëheni anëtare e NATO-s dhe t’i takoni familjes së shteteve evropiane. Është shumë e qartë se ka disa parakushte të cilat duhet të përmbushen, apo që të gjitha shtetet anëtare të pajtohen me to. Kishte një kontest mes shtetit tuaj dhe Greqisë dhe duhet të gjendej zgjidhje. Nuk do të kishte pajtueshmëri për anëtarësimin andaj çështja e emrit dhe ajo e anëtarësimit në NATO dhe BE janë shumë ngushtë të lidhura njëra me tjetrën. Pa zgjidhjes e kësaj çështjeje nuk mund të arrihet anëtarësimi në NATO dhe BE. Kjo nuk është ashtu pasi të gjitha shtetet anëtare duhet të votojnë për këtë”, është përgjigjur kancelarja Merkel.Ajo tha se porositë e këtilla do t’i përcjell edhe përfaqësuesve të opozitës të cilët kundërshtojnë Marrëveshjen me Greqinë.“Në një demokraci për çështjet vendimtare, kështu ka qenë edhe në Gjermani, duhet të ketë përgjegjësi të përbashkët kur janë në pyetje çështjet nacionale”, ka deklaruar Merkel e cila gjatë qëndrimit disa orësh në Shkup nuk ka takuar presidentin, Gjorge Ivanov, i cili sikur edhe opozita kundërshton Marrëveshjen me Greqinë duke e konsideruar si “kapitulluese dhe të dëmshme për identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase”.
Vizita e kancelares gjermane në Shkup vjen pas atyre të kancelarit austriak, Sebastian Kurz dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Sikur kancelarja gjermane, edhe Kurz dhe Stoltenberg i kanë dhënë mbështetje referendumit dhe zbatimit të Marrëveshjes me Greqinë, si mundësi e vetme për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.