Pas sulmit me armë kimike të regjimit të Bashar Al-Asadit, në qytezën Han Shejhun të prefekturës siriane Idlib, banorët në qendër të këtij vendi po përpiqen të largohen nga rajoni, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas sulmit të djeshëm të regjimit të Asadit me armë kimike në rajon, ku humbën jetën më shumë se 100 civilë dhe ishin prekur nga gazi rreth 500 të tjerë, njerëzit kërkojnë vende të sigurta strehimi.
Në qytezën ku jetojnë dhjetëra mijëra persona, civilët që ndodhen në qendër, janë duke i braktisur shtëpitë e tyre për shkak të ndotjes së rajonit me armë kimike dhe rrezikut të helmimit të ri.
Familjet së pari janë drejtuar tek të afërmit e tyre që jetojnë në fshatrat rreth Han Shejhun.
Nga ana tjetër shumë familje migrojnë në qarqe dhe qyteza më të sigurta të Idlibit që gjendet nën kontrollin e opozitarëve. Dhjetëra familje, arritën në kampin Atme në kufirin Siri-Turqi, rreth 70 kilometra larg Han Shejhun-it.
Zëdhënësi i grupit opozitar sirian Ahraru-sh Sham, Muhammed Ebu Zejd, në deklaratën për AA, tha se “Tashmë njerëzit në Han Shejhun dhe qytezat përreth i ka kapluar një frikë e madhe. Familjet i braktisën shtëpitë e tyre nga frika që sulmi mund të përsëritet. Janë orientuar drejt rajoneve tjera për të cilat mendojnë se janë më të sigurta dhe kufirit të Turqisë. Kjo gjendje është versioni tjetër i një deportimi të ri”.
Ndërsa nënkryetari i Kuvendit lokal të Han Shejhun-it, Hisham Nixhem, theksoi se sipas regjistrimit të popullsisë të cilën e kanë bërë në vitin 2014, në qytezë jetojnë 51 mijë persona, 37 mijë prej të cilëve në qendër.