Ministri polak i Punëve të Jashtme dhe kryetari i radhës i OSBE-së, Zbigniew Rau, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ndërkohë është takuar me zyrtarë të lartë të vendit, si presidentin Ilir Meta, zv/kryeministrin dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj dhe me zyrtarë të tjerë, raporton Anadolu Agency(AA).
Në një deklaratë të përbashkët për mediat pas takimeve, Ahmetaj dhe Rau u fokusuan në çështjet e integrimit evropian të Shqipërisë, luftën Rusi-Ukrainë, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe angazhimin në kuadër të OSBE-së.
– “Me Poloninë ndajmë një angazhim të përbashkët për paqen dhe sigurinë në Evropë”
Ahmetaj theksoi se pjesë e diskutimeve me kryediplomatin polak dhe kryetarin e radhës të OSBE-së ishin edhe zhvillimet në rajon.
“E sigurova se Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë një politikë aktive dhe të udhëhequr nga synimi për një integrim euro-atlantik, si dhe një integrim më të thelluar ekonomik në të gjithë rajonin. Ne ndamë të njëjtin mendim se integrimi euro-atlantik mbetet një orientim i pazëvendësueshëm për të gjithë vendet e rajonit”, tha ai.
Ahmetaj tha se me Poloninë ndajnë një angazhim të përbashkët për paqen dhe sigurinë në Evropë, sipas tij, si në kuadër të OSBE-së, po ashtu dhe në respekt të interesave strategjike të partneritetit të ngushtë në NATO dhe të perspektivës evropiane të Shqipërisë.
“Në kuadër të çdo organizate shumëpalëshe dhe rajonale ku aderojmë ne kemi bërë thirrje për të ndaluar me çdo kusht luftën në Ukrainë, për të tërhequr të gjitha trupat ushtarake ruse nga ai vend. Lufta heroike e Ukrainës nuk është vetëm një luftë për mbijetesën e atij vendi, por një luftë për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian”, u shpreh Ahmetaj në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë.
– “Polonia mbështet aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”
Kryediplomati polak theksoi se Polonia mbështet aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian(BE).
“Mirëpres kontributin e vendit për stabilitetin rajonal dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. OSBE-ja po përballet aktualisht me sfidën që ka mundësi të jetë më e madhja që prej krijimit të saj”, tha Rau.
Rau shtoi se agresioni Rusisë kundër Ukrainës i ka shkundur themelet e arkitekturës së sigurisë të Evropës, duke shtuar se “Tanimë më shumë se kurrë na duhet solidaritet dhe përpjekje për të ruajtur parimet dhe angazhimet themelore të OSBE-së.”
“Shqipëria pa dyshim është tërësisht e angazhuar për të ruajtur efikasitetin e organizatës së OSBE-së. Jam me të vërtetë i nderuar të theksoj marrëdhëniet jashtëzakonisht shumë të mira mes dy vendeve tona. Ne bashkëpunojmë ngushtë në kuadër të NATO-s. Polonia gjithashtu mbështet plotësisht aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Ndërkohë, kryediolomati polak u takua dhe me presidentin Meta dhe ishte i pranishëm edhe në Konferencën Kombëtare të Antikorrupsionit, organizuar nën kujdesin e Qeverisë së Shqipërisë. /aa