Polonia do t’i drejtojë fondet e BE-së për rikuperimin pas koronavirusit në mbrojtje dhe siguri

Qeveria polake ka bërë të ditur se planifikon të ri-drejtojë rreth 7 miliardë euro nga pjesa e saj e fondeve të rimëkëmbjes të Bashkimit Evropian (BE) pas pandemisë së koronavirusit COVID-19 drejt shpenzimeve të mbrojtjes dhe sigurisë, transmeton Anadolu.

Derisa SHBA-ja po zhvendoset nga sigurimi i një ombrelle sigurie për Evropën, Polonia ka lëvizur shpejt drejt alternativave.

Polonia tashmë ka rritur me shpejtësi shpenzimet e saj të mbrojtjes, të cilat në vitin 2025 do të arrijnë në 4.7 për qind të prodhimit bruto të brendshëm, shifër më e lartë ndër vendet e NATO-s.

“Ne jemi të parët në Evropë që nisëm këtë projekt me rëndësi vendimtare, si pjesë e KPO-së (Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes”, tha kryeministri Donald Trusk në një takim të kabinetit në Varshavë.

Ai tha se çdo vendim i këtij lloji në lidhje me modernizimin e ushtrisë polake, industrisë së mbrojtjes dhe forcimit të kufirit, “largon rrezikun e luftës dhe është një akt për paqen”.

Kjo do ta bënte Poloninë shtetin e parë anëtar që vendos pjesën e saj të Mjetit të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës së BE-së pas pandemisë (RRF) në mbrojtje dhe siguri.

Paratë do të shkojnë për Fondin e Sigurisë dhe Mbrojtjes (FBiO), i cili përdoret për financimin e infrastrukturës dhe sektorëve që lidhen me produktet dhe teknologjitë me përdorim të dyfishtë (ushtarake dhe civile), respektivisht financimin e infrastrukturës së nevojshme për të mbrojtur popullsinë dhe infrastrukturën tjetër kritike, kërkimin dhe zhvillimin e sigurisë, si dhe modernizimin e kompanive të sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike.

Fondet do të sigurohen në formën e kredive me interes të ulët ose investimeve të kapitalit pjesërisht ri-blerës. Një shtesë e KPO-së së Polonisë, e miratuar më 27 janar, do të rishikohet për të lejuar që disa nga fondet e BE-së të ri-drejtohen në FBiO.

Ky veprim gjithashtu do të kërkojë miratimin e Komisionit Evropian.