Polonia do të ndërtojë një barrierë prej 180 kilometrash përgjatë kufirit tokësor me Bjellorusinë dhe do ta pajisë atë me detektorë lëvizjeje dhe kamera për shikimin gjatë ditës dhe natës, deklaroi ministri i brendshëm polak, Mariusz Kaminski.
Kaminski theksoi se ”barriera do të mbështetet nga shtylla çeliku pesë metra të larta me tela me gjemba në majë dhe muri do të jetë 5,5 metra i lartë”.
”Barriera do të ndërtohet vetëm në rajonin lindor të Podlaskie, ndërsa rajoni Lubelskie do të ketë disa masa mbrojtëse pasi lumi Bug përbën një pengesë natyrore”, sipas Kaminskit.
“Dëshiroj të theksoj se do të përdorim metoda moderne elektronike të menaxhimit të kufijve. Nuk do të jetë vetëm një pengesë fizike, por do të jetë e pajisur me një sistem të plotë të mbrojtjes rrethuese”, theksoi Kaminski.
Ministri i Brendshëm shtoi se qeveria po shqyrton mënyra të mëtejshme për të mbrojtur të gjithë kufirin lindor, duke përfshirë seksionet kufitare me Rusinë dhe Ukrainën.
Kaminski përsëriti qëndrimin e qeverisë se ”Polonia për momentin nuk ka nevojë për mbështetjen e agjencisë kufitare të BE-së Frontex” dhe se ”ishte Polonia ajo që ndihmoi Frontex-in në operacionet e saj në Lituani dhe Letoni”. /atsh