Poloni, arrestohen 2 persona për planifikim të një sulmi ndaj muslimanëve

Autoritetet në kryeqytetin polak Varshavë kanë vendosur në paraburgim dy persona për të cilët dyshohet të kenë planifikuar sulm kundër muslimanëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjykata ka vendosur masën e paraburgimit për dy ekstremistë të djathtë të arrestuar të dielën me dyshimin se kanë qenë në gatishmëri për të ndërmarrë një sulm ndaj muslimanëve në vend, ka thënë Stanislaw Zaryn, zëdhënës i Departamentit të Sigurisë së Brendshme (ABW) të Polonisë, raportoi Radio Polonia.

Zaryn njoftoi se forcat e sigurisë kanë konfiskuar armë zjarri, municione dhe substanca për përgatitjen e mjeteve shpërthyese pas bastisjes që kanë kryer në një shtëpi në Varshavë.

Sipas zëdhënësit polak, ABW ka qenë në ndjekje të dy të dyshuarve, të cilët kanë marrë si shembull aktet terroriste të Anders Behring Breivik, terroristit i cili në vitin 2011 vrau 77 persona, dhe terroristit australian Brenton Tarrant, i cili në mars të këtij viti vrau 51 persona në dy xhami në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, duke planifikuar të kryenin vepra të ngjashme.

Ndërkaq, sipas Agjencisë Polake të Lajmeve (PAP), gjatë kërkimeve janë gjetur tetë shishe me substanca kimike me toksicitet të lartë.

Siç raportohet, dy polakët e arrestuar do të gjykohen me akuzat “zotërim të paligjshëm të armëve dhe substancave shpërthyese”, “prodhim të mjeteve shpërthyese” dhe “thirrje për sulm ndaj grupeve etnike dhe fetare”.