Një politikane gjermano-turke është detyruar të heq dorë nga roli i saj ekzekutiv në degën e partisë në pushtet në Berlin pasi kritikoi dhunën izraelite ndaj civilëve palestinezë në territoret e pushtuara, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ayten Erdil, anëtare e komitetit ekzekutiv të Unionit Kristiano-Demokratik (CDU) në Berlin, dje në rrjetin social ‘Facebook’ kritikoi ashpër autoritetet izraelite pasi policia izraelite bastisi kompleksin e xhamisë Al-Aksa dhe sulmoi besimtarët palestinezë brenda vendit të shenjtë.
“Nuk është anti-semitizëm kur dikush i quan këta autorë dhe krime me emrin e tyre, janë krime kundër njerëzimit”, tha Erdil.
Dega e CDU-së në Berlin lëshoi një deklaratë ku thoshte se komentet nuk pasqyrojnë pikëpamjet e kristian-demokratëve.
“Ne në mënyrë të qartë distancohemi nga kjo deklaratë dhe po ashtu kemi biseduar me të. Ajo ka dhënë dorëheqje nga posti i saj në komitetin ekzekutiv me efekt të menjëhershëm”, tha dega e CDU-së në Berlin.
Javën e fundit kanë parë një rritje të mprehtë të tensioneve dhe dhunës në Bregun Perëndimor të pushtuar, veçanërisht në Kudsin Lindor, pas dëbimit të familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre në favor të kolonëve izraelitë.
Forcat izraelite të sigurisë të premten dhe dje përdorën forcë jo-proporcionale kundër demonstruesve dhe po ashtu sulmuan besimtarët palestinezë brenda xhamisë Al-Aksa, duke përdorur plumba gome, gaz lotsjellës dhe shok-bomba.
Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, të paktën 28 palestinezë janë vrarë në sulmet e vazhdueshme izraelite në Gaza.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze njoftoi se në Kudsin Lindor të paktën 915 palestinezë janë plagosur nga 7 deri më 10 maj.
Grupet palestineze lëshuan një breshëri raketash në Izraelin jugor, ndërsa ushtria izraelite kreu sulme ajrore në Rripin e Gazës.
Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsi Lindor, konsiderohet si territor i pushtuar nga ligji ndërkombëtar, duke i bërë të gjitha vendbanimet hebreje në këtë zonë të paligjshme.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një veprim që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar./aa