Nga Kim Mehmeti
Tani më u mbajtën dhe morën fund të dy kuvendet e PD-së. I pari, i Doktorit, tregoi se demokracia e ndërtuar me mendësi enveriste nuk mund të arrijë më larg se sa te stadiumi i Piktorit, e i dyti, e shpalosi të vërtetën se autokracia ‘berishiste’ e kohëve demokratike dhe e rënë në duar të gabuara, nuk të çon më larg se te Pallati i Kongreseve, i ndërtuar nga Xhaxhi Enver.
Pra, dy kuvendet e PD-së, u mbajtën në dy objektet të ndryshëm, por që shpërfaqin të njëjtën mendësi leniniste të ndërtuesve të tyre, mendësi që rrënon çdo gjë që ka lënë pas vetes e shkuara dhe që, katundet e qytetet, i ndërton nga e para, ashtu që e sotmja dhe e nesërmja e tyre, të mos kenë asnjë shenjë njohëse nga e kaluara.
Po pra, dy kongreset PD-së u mbajtën në objekte të ndryshëm, duke dashur kështu të fshihnin të përbashkëtën: hallin e numrit të kuvendarëve. Pra edhe kuvendi i parë edhe ai i dyti, u lëvduan se kishin më shumë kuvendar se sa ulëse, e me çka edhe një herë u dëshmua se për politikanët, votuesi dhe anëtarësia partiake, janë numra të rëndomtë, që kanë peshë vetëm atëherë kur duhet partiakëve t’ua hapin rrugën drejtë kolltukëve të butë.
Dy kuvendet e PD-së morën fund, por jo edhe grindja mes ‘mendimtarëve të pavarur’, të cilët me aq agresivitet mbronin njërën palë dhe e sulmonin tjetrën, sa nuk e kuptoje vallë partia ishte e tyre, apo ata ishin të partisë?! Siç nuk mund ta ndaje nëse donin të na shpjegonin, apo të na hutonin dhe, pse ishin egërsuar me njëri tjetrin më keq se Doktori me të ‘birin’ e vet politik, e me çka kishe përshtypjen se i kishte ngulfatur ‘pavarësia’ e tepruar e tyre.
Dhe PD-ja me dy kuvende dhe, së shpejti edhe me dy kryetarët e saj, Shqipërisë do mund t’i sjellë vetëm një të ‘mirë’: ta mbajë të ngërthyer në kthetrat e rrëgjimit të Piktorit dhe, gjithnjë e më shpesh atë ta vizitojë Presidenti i Serbisë. E me çka, dy paqendërtuesit e vëllazëruar të Ballkanit, do kenë mundësi t’i gëzohen të arrirës që me shekuj e kishin ëndërruar qarqet antishqiptare: që vetëm Beogradi e Tirana, e jo edhe Prishtina dhe shqiptarët jashtë kufijve të mëmëdheut, të vendosin për fatin e shqiptarisë.
Pra dy kuvendet e PD-së më në fund e copëtuan partinë dhe ia hapën rrugën Piktorit që i papenguar ta çojë shqiptarinë drejtë projektit serbo-rus për ‘Botën serbe’, e të maskuar me emrin ‘Ballkani i hapur’, projekt që duhet ta tregojë si paqendërtues presidentin e sotëm serb, bashkautorin e dikurshëm të planeve shfarosëse për shqiptarët dhe, burrështetasin e tanishëm që e dinë ku ndodhen varrezat masive me viktimat e pafajshme shqiptare, por nuk i tregon ato, ngaqë donë të përfitojë politikisht edhe nga eshtrat e shqiptarëve që i vrau mendësia e tij serbomadhe.
Po pra, u mbajtën që të dy kuvendet e Partisë Demokratike. Ndërkohë, edhe ne stadium edhe te Pallati i Kongreseve, u pa e njëjta gjë: se politikanet, te mirat i mbajnë për vetveten, e hallet dhe të këqijat i ndajnë me popullin. Ajo që mbeti e padukshme dhe e mbuluar nga egërsia debatuese e mendimtarëve politikisht të ‘pavarur’, ka të bëjë me të vërtetën se edhe kuvendarët e stadiumit ku mbizotëronte mendësia enveriste, si edhe ata të dalë nga shtrati i ‘berishizmit’, ishin varrtarë të mundësisë së lindjes të një PD-je të re, që do i kishte hije mëmëdheut, të një partie që na mungon të gjithëve, të një PD-je që do i shërbente popullit e vendit, e jo drejtuesve të saj.
* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *