Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve

Baruch Kimmerling

Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit palestinez si një entitet legjitim social, politik dhe ekonomik. Ky proces mund të përfshijë, por jo domosdoshmërisht, edhe spastrimin e tyre të pjesshëm apo të plotë etnik nga territori i njohur si Toka e Izraelit.

Baruch KIMMERLING

Në 6 shkurt 2001, Ariel Sharoni fitoi zgjedhjet për t’u bërë kryeministër i Izraelit me një shumicë të paprecedentë prej 52% të votave. Kjo ngjarje shënoi njëkohësisht një pikë kthese në historinë e vendit dhe rajonit si dhe një ndryshim thelbësor në karakterin e qeverisë së Izraelit dhe kulturës së tij politike. Ky ndryshim u konsolidua në një palë zgjedhje të tjera të përgjithshme të mbajtura në 28 janar 2003, në të cilat blloku i djathtë i drejtuar nga Sharon fitoi 69 nga 120 vendet në Ksnesset dhe Sharoni u rizgjodh kryeministër i Izraelit. Fitorja dërrmuese e Sharonit u bë edhe më impresionuese nga fakti që ai u bë kryeministri i parë i Izraelit që rizgjidhej për një mandat të dytë pas Menachem Begin në vitin 1981.

Izraeli nën Ariel Sharonin u bë një agjent i shkatërrimit, jo vetem për mjedisin përreth tij por edhe për vetveten sepse politika e tij e brendshme dhe e jashtme orientohet drejt një objektivi kryesor: politicidin e popullit palestinez. Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit palestinez si një entitet legjitim social, politik dhe ekonomik. Ky proces mund të përfshijë, por jo domosdoshmërisht, edhe spastrimin e tyre të pjesshëm apo të plotë etnik nga territori i njohur si Toka e Izraelit. Në mënyrë të pashmangshme, kjo politikë do të kalbëzojë strukturën e brendshme të shoqërisë izraelite dhe do të minojë themelin moral të shtetit hebraik në Lindjen e Mesme. Nga kjo perspektivë, rezultati do të jetë një politicid i dyfishtë – ai i entitetit palestinez dhe, në afatgjatë, edhe ai i entitetit hebraik. Për pasojë, qeveria izraelite aktuale përfaqëson një rrezik të konsiderueshëm ndaj stabilitetit dhe vetë mbijetesës së të gjithë popujve në krejt rajonin.

Politicidi është një proces që përfshin një gamë të gjerë veprimtarish sociale, politike dhe ushtarake qëllimi i të cilave është të shkatërrojë ekzistencën politike dhe kombëtare të një komuniteti të tërë njerëzish dhe t’u mohojë atyre mundësinë për vetëvendosje. Vrasjet, masakrat e kufizuara, eleminimi i grupimeve të lidershipit dhe elitës, shkatërrimi fizik i institucioneve publike dhe infrastrukturës, kolonizimi i tokave, uria, izolimi social dhe politik, riedukimi dhe spastrimi etnik i pjesshëm janë instrumentat kryesorë që përdoren për të arritur këtë qëllim.

Politicidi i popullit palestinez nuk filloi me zgjedhjen e Ariel Sharonit. Përkundrazi, ai është pasojë e luftës së vitit 1967 dhe pjesërisht edhe e vetë natyrës dhe rrënjëve të lëvizjes zioniste dhe është mbështetur dhe përforcuar nga një varg ngjarjesh dhe procesesh rajonale dhe globale.

Skenari i fundit të botës që kemi përpara nuk ka qenë kurrë i i pashmangshëm, as nuk janë të pakthyeshme etapat që na shpien drejt tij. Megjithatë, zgjedhja dhe rizgjedhja e Sharonit, rrethanat që e bënë të mundur atë dhe situata politike e krijuar më pas e kanë bërë këtë vizion tmerrues më të gjasshëm se kurrë ndonjëherë që nga viti 1948.

Izraeli nuk ka qenë kurrë një demokraci liberale perfekte, sepse rrethanat e lindjes së tij dhe themelet e tij nuk e kanë lejuar asnjëherë të jetë i tillë. Përkundrazi, me një farë justifikimi, ai është konsideruar nga popullsia e tij hebreje dhe bota perëndimore si demokracia e vetme në Lindjes e Mesme. Në fakt, ai ishte demokratik në krahasim me regjimet e tjera në rajon. Izraeli ishte krenar për zgjedhjet e lira të rregullta, që u jepnin qytetarëve të tij mundësinë të ndryshonin qeverinë dhe elitën sunduese në përputhje me vullnetin e tyre. Izraelitët gëzojnë një liri relative të shprehjes – edhe pse kjo liri ka ekzistuar në një masë më të madhe për hebrenjtë se për arabët – si edhe shumë të drejta dhe liri të tjera të garantuara nga ligji apo kultura politike lokale, dhe një sistem drejtësie që përpiqej të garantonte një sistem kontrolli dhe balance, pra të limitonte pushtetin e burokracisë dhe degëve ekzekutive. Gjithashtu, Izraeli është përpjekur të zhvillojë një shtet të kufizuar të mirëqenies. Sot, këto tipare pozitive po degradojnë ndërsa Izraeli bëhet një regjim thaçerit dhe gjysëm-fashist.

Tendencat fashiste të Izraelit karakterizohen nga një kombinim elementesh:

Ka një reduktim drastik të lirisë së shprehjes dhe një tendencë në rritje për të etiketuar opozitën ndaj politikës aktuale si “tradhëti”. në fakt, opozita parlamentare është likujduar pothuajse polotësisht nga krijimi i Qeverisë së mëparshme të Unitetit Kombëtar Likud – Laburistë dhe nga refuzimi i Meretz, të vetmes parti të madhe të majtë, liberale hebraike, jashtë qeverisë për të mbrojtur politika alternative. Meretz, nën lidershipin e laburistit veteran Yossi Sarid, ka preferuar të mbetet brenda konsensusit të shenjtë kombëtar dhe të mos marrë asnjë rol të një partie opozitare reale gjatë periudhës së krizës, që të punonte për të ndryshuar këtë konsensus. Largimi i laburistëve nga qeveria e unitetit nuk solli ndonjë ndryshim pasi dëmi ndaj shoqërisë izraelite dhe vetë partisë tashmë ishte bërë.
Ushtria është gjithnjë e më shumë e përfshirë në çështjet politike dhe në media. Izraeli ka qenë gjithmonë një shoqëri e militarizuar dhe kufijtë ndërmjet sferës politike dhe ushtarake kanë qenë përherë të mjegullt. Oficerët eragunt të lartë dhe madje edhe rangut të mesme kanë një ndikim galopant në shumë aspekte të shoqërisë dhe kulturës politike izraelite. Oficerët që largohen nga ushtria, zakonisht në të dyzetat e tyre, janë konsideruar gjithmonë si vetvetishmi të kualifikuar për çfarëdo pozicioni në lidershipin civil. Kësisoj, ushtrisë izraelite nuk i është dashur kurrë të organizojë ndonjë grusht shteti ndaj qeverisë, sepse ushtria – duke gezuar shkallë të shumëllojshme pushteti – ka qenë gjithmonë partnere në proceset e vendimmarrjeve të mëdha të një vendi që është sjellë vazhdimisht si të ishte nën rrethim dhe në një krizë ekzistenciale, pavarësisht nëse kërcënimi ishte real apo jo.
Personeli ushtarak dhe zyrtarët e sigurisë në pension, që shpeshherë kamuflohen si ekspertë akademikë, janë bërë interpretuesit mbizotërues të situatës në masmedia. Marrëdhëniet me palestinezët menaxhohen drejtpërdrejt përmes konsultimeve ndërmjet kryeministrit dhe gjeneralëve të rangut të lartë. Shumë prej tyre, siç është Shefi i Shtabit aktual Moshe Ya’alon, janë edhe më ekstremë se vetë Sharoni në operacioniet e tyre të përditshme. Pjesa tjetër e ministrave civilë dhe komisioneve parlamentare informohen vetëm pjesërisht dhe post-factum për zhvillimet politike, edhe pse ato janë ideologjikisht shumë afër pikëpamjeve të Sharonit dhe kanë një marrëveshje të heshtur me të sa u përket objektivave politikë.
Sharoni konsideron si të besueshëm vetëm pak kolegë. Personaliteti i tij autoritar dhe i dyshimtë, kalbëzimi i shoqërisë civile izraelite dhe dobësia e institucioneve të tjera politike kanë prodhuar efekte të padëshirueshme. është krijuar një regjim jozyrtar në të cilin vendimet e mëdha në shumë sfera merren nga një njeri i vetëm, Ariel Sharoni. Shumë ish-kryeministra izraelitë – duke filluar me David Ben Gurion – kanë patur një stil shumë autoritar të vendimmarrjes. Megjithatë, Sharoni ia ka dalë të transformojë tiparet personale në një sistem të institucionalizuar sundimi dhe ka neutralizuar dhe margjinalizuar me sukses të gjithë opozitat hebraike.
Elementi me thelbësor në rrëshkitjen e sotme të Izraelit drejt fashizmit është përkufizimi i “tjetrit” (në këtë rast i Palestinezëve të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës, madje edhe qytetarëve rabë të Izraelit, në mënyrë kolektive) si një rrezik për vetë ekzistencën e Izraelit si komb dhe të çdo izraeliti. Ky përkufizim e përgatit opinioni izraelit, hebraik dhe botëror për një masë drastike kundër palestinezëve. Ajo që konsiderohej e pamendueshme përpara Sharonit, ose të paktën politikisht jokorrekte, është bërë sot një çështje eksplicite dhe e respektueshme e ligjërimit politik dominant në Izrael – spastrimi etnik si një zgjidhje legjitime e “problemit demografik” të ekzistencës së një shumice absolute apo relative arabe në vend. Megjithatë, është e paqartë nëse vendimmarrësit izraelitë e konsiderojnë spastrimit etnik një opsion real apo vetëm një taktike të luftës psikologjike që përdoret si pjesë e procesit të politicidit.
Ndërkohë që shteti ushqen armiqësinë poblike ndaj arabëve, ai neglizhon rritjen e shpejtë të varfërisë mes izraelitëve. Numri total i njerëzve që jetojnë nën kufirin e varfërisë në fund të vitit 2001 qëndronte në 1,169,000, përfshirë këtu edhe gjysëm milioni fëmijë. Norma e papunësisë u rrit nga 8.8% në vitin 2000 në 11% në vitin 2001 dhe 12% në vitin 2002. Gjatë dy viteve të para të Indifadës së dytë që filloi në 29 shtator 2000, ekonomia izraelite humbi rreth 7 miliard dollarë. Kostoja ndaj produktit të brendshëm bruto për vitin e parë ishte 2.5% dhe për vitin e dytë 4.5%, ndërsa gjatë këtyre dy viteve shpenzimet ushtarake u rritën me 0.8 miliard dollarë. Ne vitin 2001 pati një rritje negative të Produktit Kombëtar Bruto prej 1% dhe në vitin 2002, 1.5%, një fenomen i panjohur që prej recesionit të vitit 1953. Ndërsa niveli i varfërisë, më i larti që prej viteve 1950, vijon të rritet, shteti ka mbetur indiferent ndaj këtij procesi, duke i lënë qytetarët e varfëruar në mëshirën e disa organizatave humanitare. Me vijimin e përkeqësimit të situatës ekonomike, qytetarët izraelitë kërkojnë më shumë veprimtari kundër “tjetrit” – arabëve. Ndërveprimi ndërmjet këtyre proceseve krijon manifestimet kryesore dhe nuancën lokale të fashizmit izraelit. Qëllimet kryesore të këtij libri janë të paraqesë dhe analizojë këto faktorë të ndryshëm në sfond dhe të ekzaminojë si dhe pse shteti izralit dhe shoqëria hebraike kanë arritur në këtë humnerë kur shumë hebrenj izraelitë mbeten të pavetëdijshëm për drejtimin në të cilin po shkon shoqëria e tyre.

Një shënim personal për në fund: si një patriot izraelit, plotësisht i përkushtuar ndaj fatit dhe mirëqenies së Izraelit, të vetmit vend që kam, dhe si sociolog që ia ka dedikuar pjesën më të madhe të jetës së tij profesionale sutdimit të shoqërive izralite dhe palestineze, po e shkruaj këtë libër – gjatë qëndrimit të përkohshëm në Toronto – me trishtim dhe dhimbje të madhe. I vetmi objektiv personal që kam me botimin e këtij libri nuk është “përplasja me Izraelin” nga një “hebre që urren veten”, siç do të pretendojnë shumë nga kundërshtarët e mi politikë dhe ideologjikë – dhe siç pretendojnë edhe rreth disa prej veprave të mia të mëparshme kur nuk kishin argumente më të mira – por një përpjekje tjetër për të hapur sytë e njerëzve dashamirës dhe humanistë që nuk i kanë parë akoma rreziqet që kërcënojnë Izraelin. Në fakt, beteja për shpirtin, të ardhmen dhe mirëqenien e Izraelit dhe të gjithë qytetarëve të tij, hebrenj dhe arabë, është globale – siç janë shumica e çështjeve “lokale” të epokës sonë.

Toronto, Mars 2003

*Hyrja e librit me të njëjtin titull nga autori Baruch Kimmerling /revistapolitike